Blog

“Prefekti”, një relike muzeale - Nga Behar Gjoka

Është fjala për një sprovë të Teatrit Kombëtar (me gjasë të Turbinës), se Teatri na la shëndetin me 17 Maj 2020, duke e lexuar si tekst. Kjo ndodhi, vini re për kulturën dhe monumentet flitet vetëm për të bërë zhurmën e madhe, tërhoqi vëmendjen e shumë njerëzve. Leximi në ditën e pavarësisë, pra me 28 Nëntor, krijon një ngërç, që duhet shkuar më përtej debatit të ndezur.

Komedia “Prefekti”, ka ndikuar në shijen e lexuesve, të teatërdashësve, me elemente të shumta përbuzëse, përtallëse, duke e ndryshuar karakterin real të figurës së Qazim Mulletit. Kjo ka ndodhur me të gjithë figurat, me Ahmet Zogun, që edhe në këto kohë ia ndërruan vendin e vendosjes së monumentit. At Fishtës, ia tretën eshtrat në Drin.

Debati për “Prefektin” është më i gjerë se sa një debat i mbyllur në trupën e teatrit dhe në mes aktorëve. “Prefekti” është një problem shumë i gjerë:

Së pari: Është problem letrar, për të parë se si ishte dramaturgjia dhe letërsia në kohën e diktaturës, si një art që duhet të zbatonte parimet e Realizmit Socialist, partishmërinë proletare, tendenciozitetin dhe heroin pozitiv, e përballë tij, heroi negativ. Pra, “Prefekti” është konceptuar si përfaqësues i botës së vjetër, botës së përmbysur, si një figurë negative që duhet urryer.

Së dyti: Është problem shoqëror, ku banorët e Tiranës, ndjehen të fyer, me të drejtë, nga përtallja, përqeshja, dhe “shëmtimi” komik, për ta shfiguruar si person histori, në një personazh komik, me bosht të qartë ideologjik, si përfaqësues që gjoja nuk e donte vegjëlinë, që erdhi në pushtet pas vitit 1944.

Së treti: Është problem politik, sepse ne shpresuam se ishim ndarë nga e djeshmja, po hynim në demokraci, kur ajo nuk u bë kurrë funksionale, aq më tepër tani që jemi në një rrumpallokraci, që mbahet në këmbë edhe nga faktorët ndërkombëtarë, në emër të stabilokracisë.

Këto janë edhe pengesa për të bërë një debat real mbi tekstin dhe kontekstin, si dhe tentativa për ta rikthyer “Prefektin”, tregon se jetojmë në të djeshmen, pa të sotme. Në kushtet e reja, politiko-shoqërore, ai tekst dhe realizimet e shfaqjeve, mirë është të mbyllen në muze, si relike e të djeshmes, kur arti, teatri i shërbente partisë dhe ideologjisë, sepse tjetërsimi i tekstit, me gjasë përshtatje për këtë kohë, është dhunim i të drejtës së autorit.

Të dehur në marrëzi ideologjike, dje qeshëm deri në gajasje, me “bëmat” e pabëra të Qazim Mulletit, e tani, më shumë do vlente, rikthimi i përmasave reale, me veprimtari dhe monografi mbi jetën dhe kontributet e kësaj figurë të rëndësishme në historinë shqiptare.

©Behar Gjoka