"Dëgjoni këngën time”! - Nga Iva Grillo
Ambasada Amerikane në Shqipëri sot ka vendosur të merret me modelimin e shijeve muzikore të shqiptarëve.
Pasi na ka ndihmuar në “zgjidhjen” e problemeve madhore si drejtësia, korrupsioni dhe kapja e shtetit, pasi ka vendosur vetë jo vetëm se cila parti duhet të drejtojë vendin por edhe se çfarë lloj opozite duket më bukur për sytë e saj, ambasada na ka ftuar t’ia marrim një valleje… nën muzikën e preferuar të Sekretarit të Shtetit Blinken.

Ndoshta kanë dashur të na tregojnë anën tjetër të burokratit Blinken, anën e tij si qejfli muzike… ndoshta.
Na vjen keq t’a zhgënjejmë ambasadën, por në çdo rast shqiptarët nuk janë hiç të çuditur që Zoti Blinken e ka qejf muzikën… sepse “kënga” e Zotit Bliken dhe e politikës qe ai përfaqëson, ka kohë që u serviret atyre si pjesë e një ahengu banal në të cilin i kanë detyruar të hedhin dhe një valle shumë të shëmtuar.
Në fakt ka ardhur momenti që ambasada amerikane të ketë më shumë respekt e ndjeshmëri për shqiptarët që vetë i quan aleatë.
Një fillim i mbarë do të ishte ndalimi i presioneve dhe karshillëqeve bajate në momente krizash, kur qytetarët mundohen të reflektojnë sesi do të zgjidhin hallet që u kanë rënë në kokë, nën shtypjen e një shteti të kapur, për të cilin ka dhënë një ndihmë bujare edhe politika e ambasadës në fjalë.
Blinken-it i këndoftë zemra, por troç me thënë... shqiptarët nuk ia kanë ngenë këngës së tij!
©IvaGrillo





















