Blog

Ballkani ka qenë i hapur për hajdutët, mafien dhe kriminelët - Nga Kim Mehmeti

Sa e di unë, Ballkani edhe deri tani ka qenë i hapur për hajdutët, mafien dhe kriminelët. Edhe deri më tani kufijtë e shteteve të këtushme kanë ekzistuar vetëm për skamnorët, për mërgimtarët, të cilëve u merret ryshfet për ta kaluar kufirin si dhe për të papushtetshmit, e jo për banditët e veshur me petkun e pushtetit, të cilëve u përkulen kufitarë e doganierë.

Dhe në Tiranë sot janë takuar drejtuesit e tre shteteve më të korruptuara të këtyre hapësirave, mes të cilëve edhe ai i Maqedonisë që u dha pasaporta qindra kriminelëve më të njohur të botës, e për çka nuk mbajti përgjegjësi askush.  

Pra në Tiranë kuvendojnë Presidenti i Serbisë, luftënxitësi i dalë nga kapota antishqiptare e Millosheviçit, Kryeministri i dorëhequr maqedonas dhe mikpritësi i tyre, piktori, i cili e rrënoi Tetarin Kombëtar në Tiranë, por siç duket, do i ngrejë vetvetes përmendore në mes të Beogradit.

Dhe siç duket, projektuesit e “Ballkanit të Hapur” nuk e kanë kuptuar se ata ndërtuan banana-shtete, se problemi i vendeve të tyre nuk është pse ato nuk i do Evropa, po pse nuk i duam as ne që jetojmë në to.  

Nuk dua të vë shenjë barazimi, por me diçka, takimi i tre “burrështetasve” ballkanikë në Tiranë, m’i rikujton kuvendet e “kryefamiljarëve” mafiozë, të cilët mblidhen herë pas here, sa për t’ia puthur dorën dhe sa për t’i shprehur besnikëri “kumbarës” së tyre!

©Kim Mehmeti