Magjia e festave të fundvitit - Nga Çapajev Gjokutaj

Çapajev Gjokutaj
Festat e fundvitit kanë diçka të veçantë, gati-gati magjike. Të duket se në ajër endet një tis përralle, që të bën të ndjehesh sado pak fëmijë.
Janë festa të konceptuara me fëmijë dhe për fëmijët. Besimtarët e krishterë festojnë lindjen e Jezuit, foshnjës që rrezaton mirësi qiellore dhe na e bën më të shtrenjtë çdo fëmijë.
Dy figura me rrënjë pagane, Santa Klausi, i pranëvenë me Babagjyshin e Vitit të Ri, i ndjellin fëmijët e të gjitha besimeve në një botë përrallash, plot udhëtime qiellore dhe thasë dhuratash. Kurse ne, të rriturit, na nxisin të marrim pjesë në lojën e festës, të sillemi edhe si të pjekur, edhe si kalamaj.
Të jesh dhe të mos jesh vetja, të ndezësh zjarrin e ngazëllimit në palcë të dimrit, t'u ikësh konvencioneve dhe të komunikosh me çiltërsi fëmije...
Mbase të gjitha këto shkundin mbi festat e fundvitit, jo borë por magji.
Gezuar, mot më mirë, me më pak halle e të gjithë bashkë!
©Çapajev Gjokutaj





















