A ka moral Kina të denoncojë SHBA? - Nga Hajro Çini
Lexova në Twiter qëndrimin zyrtar të qeverisë kineze në lidhje me kërkesën, këmbëngulëse të SHBA për të ekstraduar Julian Assange që ai të ndeshet me një burgim 175 vjeçar:
“Liria e shtypit është thjesht një pretekst i përdorur nga SHBA që të destabilizojë Hong Kongun. Në qoftë se SHBA ka një qeveri të sigurtë, 'që nuk ka frikë nga e vërteta', pse kërkon të ekstradojë Assange?”
Kina është një vend shumë abuziv, ku të drejtat e njeriut nuk kanë ndonjë kuptim, por Kina nuk është më e kohës së Mao Ce Dunit, kur miliona njerëz vdisnin nga uria. Kina ka kaluar nga mjerimi në varfëri në vitet e para pas vdekjes së Maos dhe tani ka një zhvillim marramendës të përgjithshëm në të gjitha fushat. Kinezët ndërmorën reforma shumë të mënçura Tensiaopiniane dhe sot kanë pretendimin e të qënit superfuqi.
A ka moral Kina të denoncojë SHBA?
Unë mendoj se kjo është e debatueshme, sepse SHBA nuk është më superfuqia e kohës para Bill Clinton-it, ku parimet për liri dhe demokraci kishin domethënie. Sot parimet kanë degjeneruar aq shumë, sa SHBA, edhe pse jo në nivelin e abuzimeve të Kinës, nuk e ka më statusin e vendit etalon.
Lexova gjithashtu një koment të Radio-Canada, të shqipëruar nga Flasshqip. Shumë interesant. Ja si mbyllej komenti:
“Kësisoj, ndërsa pritej, në periudhën e pas Luftës së Ftohtë, një liberalizim më i madh politik, po ndodh e kundërta, me një konsolidim të autoritaritarizmit nga pak kudo, pavarësisht një petku në dukje demokratik të institucioneve dhe frazave klishé që përdoren në diskursin politik. Për më tepër, kjo rënie e demokracisë nuk kufizohet ekskluzivisht në aparatin politiko-shtetëror, por ka të bëjë edhe me qytetarët, të cilët para se të preokupohen për të drejtat politike, kërkojnë mbi të gjitha një qeveri funksionale që u sjell atyre siguri, stabilitet politik dhe ekonomik”.
Në fund të viteve 90, ne ishim shumë entuziastë me rënien e Murit të Berlinit, shkërmoqjen e BRSS si dhe rrëzimin e sistemeve totalitare të Europës Lindore. Ndërtuam një botë imagjinare të qetë, plot zhvillim dhe respektim të vlerave njerëzore. Duke qënë të izoluar, ne nuk e dinim se çfarë do të thonte një botë një polare.
Një miku im kanadez, me origjinë nga Britania e Madhe, më ka treguar se mbas Luftës së Dytë, SHBA doli superfuqi e armatosur me armatim bërthamor. Presidentët amerikanë të asaj kohe, merrnin në telefon kryeministrat britanikë dhe u diktonin se çfarë Britania duhej të bënte. Britanikët u ndjenë të friksuar dhe nuk mund të pranonin këtë lloj diktati. Pas shumë analizash, britanikët arritën në konkluzionin se nëse BRSS armatosej me armë bërthamore, diktati amerikan do të zbutej, dhe se, sipas tij, ishte qeveria britanike që pajisi BRSS me formulat.
Kur BRSS bëri shpërthimin e parë, dhe sidomos pas konfrontimin në Kubë, u vendos një ekuilibër i brishtë, por i qëndrueshëm dhe SHBA u mbështet në parime që ngjallën shpresë në të gjithë botën. Reputacioni i SHBA u ngrit në zenit. Kjo vazhdoi deri sa BRSS u shkërmoq. Pas këtij momenti SHBA filloi të sillej me një arrogancë që sa vinte e shtohej. Ka sulmuar ushtarakisht, pa u provokuar prej tyre, mbi 8 vende, destabilizuar të gjithë këta shtete, duke derdhur gjakun e miliona civilëve të pafajshëm.
Si përfundim, SHBA nga simbol moral është bërë simbol i korrupsionit. Shiheni se si sillet në Shqipëri. I shkatërroi rendin kushtetues, pa asnjë shkak, vetëm se George Soros dëshiron të eksperimentojë me narko-qeveri.
Ndërkohë që, mbarimi i Luftës së Ftohtë çliroi energji të mëdha dhe ngriti shpresat kudo, kthimi i botës në një polare i hapi rrugën korrupsionit dhe abuzimit. Një botë dy ose më shumë polare duket se është shumë më e qetë dhe e stabilizuar se sa kur nuk ka më shumë se një pol.
©Hajro Çini



















