Blog

A mund të ndodhë në Kanada ajo që ndodh në trojet tona? - Nga Fazli Mazreku

Të themi hipotetikisht se sot, më 8 Janar 2022, në temperaturë te ulet -28C, në Ottawa, në kryeqytetin e Kanadasë janë organizuar demostrata nga anëtarët dhe simpatizuesit e Partisë Konservatore të Kanadasë, për arsye të përçarjeve të mëdha dhe krizës së thellë të lidershipit të partisë. Dhe akoma pa u zbrazur mirë rrugët e kryeqytetit, kryeministri aktual i Kanadasë, e njëherit edhe lider i Liberalëve me nxitim merr anën e njërës palë duke i lekundur eshtrat e aktorit të ndjerë amerikan, John Wayne, duke e cituar atë në faqen e tij zyrtare në Facebook se “Jeta është e vështirë, por budallenjtë e vështirësojnë atë edhe më shumë”. Me këtë ai do të dukej lakuriq se shkel me dy këmbë në parimet e demokracisë kanadeze, sepse ai është kryeministër i të gjithë qytetarëve kanadezë, pa marrë parasysh përkatësine e tyre politike.

A dini se çka do të ndodhte?

Të hënën do të fillonte një fushatë e pamëshirshme në Dhomen e ulët të Parlamentit federal kundër kryeministrit. Do të mbahej mbledhje urgjente e organit më të lartë të Liberalëve dhe do të kërkohej llogari direkte kryeministrit dhe liderit të Liberalëve. Do të ngrihej në kembe e tërë shoqëria civile, mediet dhe grupet e interesit dhe do të kërkohej doreheqja e menjëhershme e kryeministrit. Kryeministri do të bëhej “dhi turku” (në anglisht “scape goat”) dhe pa asnjë mëdyshje, kah fundi i javës, më së voni, ai do të kërkonte nga Guvernatorja e Përgjithshme të shpallë zgjedhjet e parakohshme për Dhomën e ulët të Parlamenti federal.

Pa dyshim që lëkundja e eshtrave të aktorit të famshëm, John Wayne do t’i sillte humbjen e shumicës Liberalëve në Dhomën e ulët dhe dorëheqjen e liderit të partisë, sepse ky është rregulli në jetën politike të Kanadasë.

Megjithatë, kjo nuk ndodh në trojet tona, sepse liderët tanë janë mbi ligjin dhe të pazëvendësueshëm!

©Fazli Mazreku - London, Ontario