Blog

Urrejtje dhe dhunë - Nga Bujar Llapaj

"Kushdo që përdor shpatën nga shpata do të vdesë!"

Ajo që ndodhi tek godina e PD-së më 8 janar është e turpshme por jo e papritur, është rrjedhojë e mbarsjes së shoqërisë shqiptare me urrejtje dhe përçmim për kundërshtarin, "armikun e popullit, Atdheut, demokracisë" dhe i ka rrënjët shumë thellë në kohë, por që u sanksionua me ligj dhe kushtetutë nga regjimi komunist që për nga egërsia ja kaloi edhe atij stalinist, kurse ndryshimet kushtetuese të 2008 hapën rrugën për rikthimin e Partisë-Shtet në pushtet dhe Partisë-Pronë në opozitë.

Shpresuam shumë se me rënien e komunizmit Shqipëria do të ecte shpejt në ëndrrën e Rilindasve, por ajo vazhdon të mbetet një ëndërr e bukur e njerëzve të ditur, të mënçur dhe Patriotë që shkrinë pasuritë e tyre për të bërë Shqipërinë. Por ëndrra e Tyre nuk mund të bëhej realitet nga njerëz të vegjël, hakmarrës, banditë që kanë ëndërr vetëm pushtetin dhe "lavdinë" e tyre e kanë ngritur mbi eshtrat, vjedhjen, mjerimin dhe përçmimin e bashkëkombasve të vet. Dhe Ne Kemi "Meritën" Tonë në ngritjen dhe mbajtjen në piedestal të kësaj rrace antishqiptare.

Ndjej keqardhje por edhe revoltë ndaj shumë personave, edhe miq, që zgjidhjen e problemeve të shoqërisë shqiptare e shikojnë tek përdorimi i dhunës pa u menduar për pasojat dhe kush dëmtohet nga kjo dhunë. Të gjithë ju "luftëtarë" të "lirisë", "demokracisë" që keni frymëzuar '97, '98, 21 Janarin, 8 Janarin, a keni bërë ndonjë bilanc të viktimave të shkaktuara nga fjala juaj "revolucionare"? Sa politikanë apo "analistë" janë viktima dhe sa njerëz të thjeshtë u përdorën si mish për topat tuaj?

Neveri për këdo që nxit dhunën dhe urrejtjen.

©Bujar Llapaj