Blog

Qeveria Kovaçevski produkt i Ballkanit të Hapur? - Nga Xhevdet Nasufi

Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut

Ishte bizar diskursi i mëparshëm i shqiptarëve për shtetin e Maqedonisë: Do të zhbëhet, do të coptohet dhe çka jo tjetër. E tëra kjo ishte shprehje e revoltës dhe e shpresës për shqiptarët që të ndërtohet Maqedonia, shtet më i drejtë edhe për shqiptarët. Edhe Ali Ahmeti me UÇK fillimisht në vitin 2001 nisen luftën me të njejtin diskurs. Megjithate, lufta epilogoi me hepiend politik, në të cilin Aliu me shokët e tij u akomoduan tani e njëzet vjet në pushtet dhe “harruan” diskursin.

Në të njejtën kohë, po të njejtit rrokullisën shtetin  prej krize në krizë, prej zgjedhjeve në zgjedhje, duke katandisur qytetarët, shqiptarët në veçanti në vobekësi dhe pasiguri. Gjatë gjithë kësaj kohe të qeverisjes së BDI-së është ndierë mungesë absolute e ideve për të menaxhuar dhe ndërtuar shtetin efikas dhe të barabart për shqiptarët, ashtu siç edhe lufta e imagjinoi në vitin 2001. Bile, konfliktet ekstreme ndërmaqedonase (VMRO-LSDM) si mundësi reale për benefite për shqiptarët, Aliu dhe BDI-në i konvertuan në qeverisje partiake sipas ideologjisë shtet-parti. Gjatë gjithë kësaj kohe të qeverisjes së shqiptarëve me në krye Aliun, ishte sukses vetëm anëtarësimi i shtetit në NATO, por ama falë gjeostrategjisë përëndimore dhe asaj amerikane në veçanti dhe pak asistencë e Zaevit propërëndimor.

Sot sikur po sforcohet rezignimi për perceptimin se Ali Ahmetin dhe BDI nuk ka forcë që i sposton nga pushteti. Në fakt, katapultimi politik i opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga perpjekja për rrëzim të qeverisë nëpërmjet votbesimit, në ruajtjen e saj, e sforcon dukshëm këtë rezignim krahas makinaconeve të vetë qeverisë. Pra, cila është logjika politike që opozita pas katapultimeve të fundit të promovojë absurd politik të pashembull: Rrëzim të qeverisë për të mbijetuar po e njëjta qeveri?!

Gjithsesi situatë e paprecedentë, opozita shqiptare dhe maqedonase bënë përpjekjen për mocionin e parë real të mosbesimi ndaj Aliut dhe Zaevit, por dështoi si në filmat e Hiçkokut. Siç duket edhe Rama nuk deshi që të rrëzohet Aliu dhe Zaevi. Rama këtë e bëri me elegancë, për dallim kur ate e bëri më parë për të miratuar Ligjin tejet konfuz për zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Mu për këtë, duket se edhe pritshmëria e madhe për rrëzimin e Aliut nuk ndodhi. Pra, argument i shtuar vendosës, vallë Ballkani i Hapur e rindërtoi qeverinë Zaev-Ali nën atributin e Kovaçevskit? Sigurisht po, pasi Edi Rames iu deshën bashkudhëtarët si Zaevi dhe Aliu, sepse si do të dukej binomi Rama-Vuçiç pa Zaevin dhe Aliun bashkë drejt Ballkanit te Hapur?

©Xhevdet Nasufi