Blog

Kur fshati digjet, opozita krihet - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Kur ndërtesa e Teatrit Kombëtar dha shpirt nga goditjet ritmike të fadromave, shumë qytetarë përfshirë edhe karrigembajtësin e opozitës së sotme “zyrtare”, po shijonin ëndrrat e gjumit të tretë. Artistët dhe një pjesë e shoqërisë civile që protestonin prej dy vitesh dhe nuk po “dorëzoheshin” as kur i prenë ujin e dritat, u bënë thirrje qytetarëve tiranas t’i mbështesnin, pasi ajo që ndodhte me teatrin sot do ndodhte në shtëpitë e tyre nesër.

Nuk thonë kot: ç’dëgjon në gjitoni, prite në shtëpi.

Dhe nuk vonoi shumë kur fadromat rrafshuan banesat te Astiri, Bregu i Lumit dhe tani te 5 Maji. Banorë të lidhur me pranga, gra të moshuara që tërhiqen zvarrë, madje edhe kameramanë, ndërkohë që mungojnë mediat e mëdha (tv kombëtare) pasi i kanë zënë sytë plikot me euro që marrin nga inceneratorët dhe nuk kanë si të pasqyrojnë problemet reale të shoqërisë.

Në rolin e sehirxhiut qëndron fatkeqësisht edhe opozita, duke shpenzuar gjithë energjitë te lufta për karrigen e Bashës.

Që prona e ligjshme t’i rrëmbehet qytetarit në këtë formë, kjo vetëm në Shqipëri ndodh. Nuk mundet që shteti të marrë pronën e qytetarit qoftë edhe për ndërtime publike, pa një pajtim dypalësh. Dhe nëse nuk ka pajtim, qytetari i drejtohet gjykatës. Po cilës gjykatë? Me hir ose me pahir edhe gjykatat janë vënë në shërbim të pushtetit.

Dua të përmend këtu një rast të ngjashëm të ndodhur në Canada (Winnipeg) në 2017, ku banorët kundërshtuan ndërtimin e një stacioni treni në afërsi të banesave të tyre për shkak të zhurmës. Gjykata Federale iu dha të drejtë banoreve. Ndërsa në kryeqytetin tonë të dashur kullëzimi po nëpërkëmb jo vetëm rregullat e urbanistikës, por edhe të drejtat bazike të pronarëve.

Dua të sjell në vëmendje tuaj një rast të ndodhur jo shumë kohë më parë te banesat e ligjshme në afërsi të 15-katëshit. Bashkia i prishi me sebepin e ndërtimit të një nënstacioni elektrik. Mirë, duhen edhe nënstacionet. Po çfarë ndodhi më pas? Nënstacioni u zhvendos se nuk i duhej më KESH-it dhe iu hap rruga ndërtimit të kullave, duke i lënë me gisht në gojë pronarët e ligjshëm.

Parrulla e djeshme “Ti qepemi maleve e kodrave dhe t’i bëjme pjellore si dhe fushat” është zëvendësuar me “Ti qepemi çdo hapësire publike e private dhe ta zbukurojmë me kulla”!

Dje shkatëruam pyjet për të mbjellë grurë që të mbushte barkun e tharë klasa punëtore, sot po ndërtojmë një qytet kullash të pabanueshëm vetëm nga etja për fitime.

E ndërsa Drejtësia është nën ethet e Vettingut dhe fshehjes së milionave të paligjshme nën emra kunetërish e familjarësh, opozita është e fokusuar te fati i zyrave të saj të cilat nuk i do për të mbledhur militantët, por më së shumti si monedhë këmbimi për të ngritur ca kulla të tjera.

E ndërsa fshati digjet dhe media krihet me milionat e reklamave të inceneratorëve, opozita po zhgryhet për karrigen e kryetarit.

Lum si ti moj Shqipëri! Lum kush do rrojë ta shohë kull-zonjë!

©Ilir Gjini