Unë nuk kam lindur me shami - Nga Smeralda Çaça
Ajo çka duhet të pranohej krejt natyrshëm, si pasojë e një të shkuare jo pak religjoze e këtij vendi, fatkeqësisht, ende sot vazhdon të jetë një sfidë a betejë për shumë vajza e gra muslimane që ashtu si gjyshet, tezet dhe hallat e tyre dikur, duan të mbajnë me përkushtim petkun e besimit, - shaminë. Ndonëse absurde, vajzave dhe grave që vendosin të mbulohen u duhet vazhdimisht t’i shpjegojnë shoqërisë zgjedhjen e tyre e shpeshherë edhe të mbrohen nga sulmet mediatike, pseudo-intelektuale e histerike që u vijnë herë pas here prej saj.
Me rastin e Ditës Botërore të Hixhabit, desha të sillja në vëmendje nja dy fjalë për domethënien që ka "shamia" për mua.
***
Jetojmë në epokën e kozmetikës, ku bukuria është bërë synimi i çdo gruaje. Industria e modës ka sfiduar të gjitha konceptet klasike të idesë mbi bukurinë femërore duke u kthyer në një idhull për miliona gra dhe vajza në mbarë botën. Është ajo dhe krijuesit e saj që kanë vendosur konceptet e reja të bukurisë femërore, duke përcaktuar deri në detaje se si duhet të jetë imazhi i femrës perfekte. Jetojmë në kohën e bumit të konsumit material dhe rrokullisë së konsumimit shpirtëror. Shumëçka në jetën tonë tashmë, si një labirint pa shteg, kërkon të na largojë nga origjina e qenies, nga thelbi i krijimit, nga vetvetja.
Unë nuk kam lindur me shami, as me këmishë, përkundrazi shamia ka lindur me mua. Që në zanafillë ajo u bë pjesë e mbulesës së Havasë, vijoi të lartësonte figurën e Shën Mërisë, u rikthye si obligim hyjnor për gratë besimtare në kohën e Profetit Muhamed dhe u fiksua përjetësisht si petku i humanizmit të Nënë Terezës e i mjaft motrave të devotshme katolike.
Isha ende në krye të tetëmbëdhjetave, kur e mora këtë vendim, i cili erdhi natyrshëm përgjatë përsiatjeve të mia rreth obligimit të mbulesës. Si një zgjedhje e lirë e imja në kulmin e vajzërisë, u ndjeva e plotësuar dhe më e afërt me Zotin xh.sh. Njëkohësisht kuptova se kjo rrugë më kishte ruajtur nga çmenduritë e rinisë së pafre të shoqërisë moderne, nga antivlerat e servirura për modë, trend dhe qytetërim, nga falsiteti, hipokrizia, cinizmi. Megjithatë, edhe pse u mbulova e për një hop u ndjeva e plotësuar, tundimet nuk munguan. Të afërm që më kujtonin vazhdimisht se çfarë i kisha bërë vetes duke përjashtuar mundësitë për punë më të mirë, duke më kërkuar t’u mbushja mendjen pse patjetër u dashka vënë shamia për të qenë besimtare, dhe se a nuk je e tillë pa shami?
Gjatë viteve të para si një vajzë me shami vazhdimisht i kam bërë pyetjen vetes “Pse duhet shamia? Ndonjëherë i jam hakërryer edhe vetë Zotit pse veshjen e grave e bëri më të ndërlikuar se atë të burrave, pse deshi që gruaja të mbulohej kaq shumë, dhe jo vetëm pjesërisht? Më kujtohej një mësuese që kishte thënë njëherë, se si mundet një vajzë e re të heqë dorë nga ndjesia e këndshme e flladit të erës kur ia ledhaton flokët. Kishte të drejtë, është ndjesi magjike kur flladi i erës të përkedhel fytyrën dhe ndjen shpupuritjen e flokëve. Madje edhe para pak ditësh një kolege katolike me tha troç “Po, mirë moj, ç’keni më shumë se ne ju të mbuluarat? Mos do të thotë se jeni me të mira se ne që nuk mbulohemi?” Edhe pse u mbulova herët, ndoshta nga një vendim i motivuar më tepër nga ndjenjat, vazhdimisht kam menduar për urtësinë e këtij obligimi dhe i kam kërkuar Zotit të më jepte qartësi dhe qetësi në zemër për kuptimin e tij si dhe mjaft krenari për ta mbajtur atë me dinjitet.
Përgjigjet e pyetjeve të mia Zoti xh.sh. sikur m’i jepte çdo ditë e nga pak në jetën time të përditshme, njëherë në autobus, kur pasagjerët më thirrnin 'motër', njëherë në rrugë kur shoferët ndalonin makinat dhe ngulnin këmbë që unë të kaloja më parë, e plot herë të tjera kur njerëzit më ndalonin për të më pyetur diçka rreth fesë, fillimit të ramazanit, apo edhe për të më kërkuar ndihmë, duke më bërë të mendoja se veshja ime në njëfarë mënyre impononte një lloj respekti dhe nderimi në sy të gjinisë tjetër, të velur mbase nga lakuriqësia dhe mashkullorësia femërore që fatkeqësisht është bërë mjaft e pranishme dhe i drejtonte si një lloj fari nevojtarët drejt meje.
Po, shamia, petku i besimit më bën të ndihem në shoqëri si një motër, shoqe, si një Shën Mëri që vuan për të tjerët, si një Rabia që digjet për shpëtimin e njerezve, si një misionare e Nënë Terezës, si një femër e mbrojtur, e lartë, sikur mbart mbi vete diçka qiellore, hyjnore.
Si një tipar dallues i një besimtareje mes njerëzish të shumtë që mund të identifikohen me gjithçka tjetër, përpos një treguesi hyjnor, që për mua përbën një element thelbësor në bindjen dhe lidhjen time me Zotin, shamia është një përkujtues. Jo vetëm për atë që e mban por edhe për të tjerët përreth.
Besoj se një shoqëri, e cila ka luksin të shohë rrugëve të saj vajza të mbuluara, ka fatin t’i përkujtojë vetes spiritualitetin e besimit, esencën e qenies femërore, të Madhërishmin. Ka ende shansin t’i japë fund shfrytëzimit dhe abuzimit me imazhin femëror, me vetë trupin e grave, për sa kohë nuk janë mbyllur kapakët e gjithësisë.
Mendoj se urtësinë më të madhe të obligimit të saj dhe shpërblimin për të e di veç Zoti i Lartësuar, i cili pasi e krijoi femrën në mënyrën më të përsosur mendoi edhe për mburojën e saj. Me kalimin e viteve kuptova se shamia në vetvete ka diçka mistike, diçka engjëllore. Kuptova se është e pamundur t’ua shpjegosh të tjerëve ndjesinë që ajo përcjell, pasi është një ndjesi personale, e parrëfyeshme, një lidhje intime mes meje dhe Zotit të botëve.
Më takon mua vendosja e prioriteteve në jetën time, e duke patur si prioritet plotësimin e një urdhëri hyjnor, kjo copë pëlhure mbi krye më bëhet edhe më e shtrenjtë, e shenjtë, aq sa unë nuk gjej dot dhuratë më të bukur për një grua se dhurimi i një shamie. Fundja është e gjitha çështje besimi dhe prioriteti.
Nuk e di si dhe çfarë do të isha sot pas 19 vjetësh po të mos isha e mbuluar, di vetëm se çfarëdo që të kisha arritur në jetë, mbase nuk do të më dhuronte lirinë dhe ndjesinë e paqes në shpirt që më dhuron kjo copë pëlhurë, e cila më afron më shumë me Zotin e gjithësisë.
©Smeralda Çaça - Përkthyese, studiuese


















