Ushtria meriton respekt! - Nga Nador Bakalli

Nador Bakalli - Toronto
Sot 98% e personelit ushtarak kanadez janë plotësisht të vaksinuar. U lumtë. Asgjë më pak se sa përulje dhe respekt ndaj tyre!
2% e tyre, rreth 300 ushtarakë, janë lajmëruar për dëbim nga radhët ushtrisë për mos vaksinim!
Më thoni, kush e merr guximin t'u thotë këtyre burrave dhe grave që kanë ngrënë zhavorr, llucë dhe plumba nëpër llogoret e ferrit në Kandahar dhe Mosul, në mbrojtje të dinjitetit, vlerave njerëzore dhe nderit të kombit të tyre, se nesër e gjejnë veten në mes të katër rrugëve për shkak se kanë zgjedhur të mos vaksinohen?
Kaq vështirë qenka të gjenden alternativa akomoduese në vendin e punës për 300 ushtarakë? Puna me turne, distancimi fizik, testimi periodik, izolimi nga të tjerët e shumë e shumë alternativa të tjera nuk bëkan punë?
Ushtria është aset kombëtar dhe i pa zëvendësueshëm. Të tillë janë edhe ushtarakët. Ata 300 ushtarakë mund të jenë personel kyç, largimi i të cilëve mund të dobësojë kapacitetet ushtarake dhe sigurinë kombëtare të vendit. A falet kjo? Asnjëherë! Askund!
Mos ardhtë kurrë ajo ditë që do të na duhet t'u kërkojmë të popullojnë llogoret në emër të lirisë tonë! Por nëse vjen, ata kanë të gjithë të drejtën e Zotit të na thonë:
"Dërgoni të vaksinuarit atje se ne përbëjmë rrezik për ju, për veten, madje edhe për armikun"!
Nder për ushtarakët!
©Nador Bakalli