Blog

Mbi përdorimin e shprehjes “protesta e ca burrave të bardhë të inatosur - Nga Endrit Mullisi

Ka ca ditë që më vlon përbrenda reagimi ndaj diçkaje që dëgjova sërish në një intervistë në radio (nuk shoh TV). I intervistuari, një ish-funksionar i lartë e përkufizoi protestën e shoferëve të kamionëve si protesta e ca burrave të bardhë të inatosur. E kam dëgjuar shpesh këtë përkufizim vend e pa vend dhe më ka ardhur afër majës së hundës me këtë diskriminim përçmonjës.

Gjithë problemi vika nga raca e bardhë dhe nga burrat!?

Imagjinoni kombinimi i këtyre të dyjave. Ndërkohe unë mendova arsyet pse shumica e protestuesve ishin të bardhë dhe në shumicë burra.

Është e vertetë se shumica dërrmuese e shoferëve të kamionëve janë burra, ndaj dhe u bëj thirrje feministëve që duan barazi, t’i kërkojnë qeverisë që t'u vendosë kuota gjinore kompanive të transportit, derisa të kemi 50% femra në timon (jo në zyrë me shkresat). Nëse shumica e shoferëve janë burra, patjetër që edhe protestuesit do të jenë shumica burra. Disa kanë qenë me gratë dhe femijët, por jam i sigurtë që gratë e burrave që ndodheshin vetëm aty, ishin 100% në mbështetje të protestës.

Nuk kam statistika në dorë, por ka shumë mundësi që përqindja më e madhe e shoferëve mund të jenë të grupit lëkurëbardhë. Unë personalisht pashë mjaftueshmërisht njerëz jo lëkurëbardhe në protestë për ta konsideruar të pavërtetë postulatin që kjo është protestë e të bardhëve apo ekstremistëve të bardhë. Ndoshta duhet të analizojme pse shumica e shoferëve janë të bardhë. A është kjo një shenjë që këtë punë të vështirë nuk para e bëjnë njerëz nga grupime të tjera? Nuk them dot po, sepse kam parë me dhjetra shoferë me çallma (sikh). 

Një pyetje me vlerë do të ishte: Pse shoferët jo të bardhë nuk iu bashkuan protestës me aq shumicë sa të bardhët? Mund te jete pastërtisht mosdëshira për të atakuar qeverinë dhe për të mos humbur fitimin e atyre ditëve. Jo të gjithë duan të sakrifikojnë dhe jo të gjithë janë në të njejtën situatë për të sakrifikuar. Jo të gjithë e shohin në mënyrë të njejtë problemin e zgjedhjes për t'u vaksinuar apo ndërhyrjen e qeverisë. Ndoshta ka grupe imigrantësh që kanë frikë të sulmojnë publikisht vendimet e qeverisë, sepse ende i ndjek hija e eksperiencave të mëparshme. Gjithashtu nuk është i paktë grupi që preferon t'i nxjerrë gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve.

Si përfundim, është e turpshme që media jo vetëm nuk i ndalon ata që interviston të shprehen në këtë mënyrë, por e ka bërë si shprehje të vetën. Kjo për mendimin tim ështe një nga dëmet më të mëdha që po i bëhet sistematikisht këtij kombi. Hedhja e baltës mbi njerëzit me lëkure më të bardhë duke i bërë fajtorë për çdo gjë që ndodh në këtë vend, do shkaktojë grupimin e tyre dhe kundërveprimin me mënyra të ndryshme, ca prej tyre mbase jo shumë të pëlqyeshme.

Ju ftoj miq të mi, të kontribuoni aty ku jeni, për të luftuar këtë lloj diskriminimi që po bëhet haptas në vendin tonë. Pa ulur poshtë asnjë lloj komuniteti në Kanada, mund të them që unë personalisht dhe shumë të tjerë që njoh, kanë ardhur në Kanada ndoshta për atë lloj kulture dhe mënyre të jetuari që kanë njerëzit me prejardhje anglo-saksone apo franceze. Të jetë për të mesuar nga kultura të tjera, ka shumë kontinente për t'u bërë emigrant, ndoshta dhe lehtë.

Mendoj që na duhet ta konfrontojmë me argumente këtë luftë ndaj atyre që drejtojnë mënyrën e të menduarit në komunitete të caktuara në Kanada. Ndoshta sepse personalisht unë e identifikoj veten me racën lëkurebardhë nga jashtë por dhe nga shumica e filozofisë dhe mënyrës së të jetuarit, e marr si ofendim personal sa herë që përçudnohet raca e bardhë.

Nëse do flisnin në publik për "Indianë të inatosur", "Zezakë të inatosur", apo "Kinezë të inatosur" do bëhej problem. Siç duket të bardhët për një kohë të gjatë kanë treguar kulturë dhe tolerancë, dhe kur një grup prej tyre ngrihet të protestojë për çfaredo lloj çështje, ia veshin problemin privilegjit që vjen nga lëkura. T'i quash të privilegjuar kamionistët që bëjnë një punë të vështirë, është budallallek. Na ruajtë Zoti nga gjithë këto teori të liga në këtë vend që është i bekuar.

©Endrit Mullisi