Blog

Forca e televizionit dhe keqpërdorimi i tij - Nga Edi Oga

"Big Brother VIP" pa dyshim është një "superproduksion" i cili i ndau shikuesit e televizionit në dy kategori: ata që e ndoqën këtë show dhe ata që nuk e panë për asnjë sekondë.

Ata që e ndoqën, ndahen në ata që "e përpinë" të gjithin dhe ata që e ndoqën pjesërisht.

Për arsye tërësisht profesionale, unë futem tek kjo nënkategoria e fundit. Plus-minus, duhet të kem ndjekur gjithsej dhjetë orë nga ky transmetim maratonë qindraorësh.

Përsa i përket realizimit televiziv, ky projekt është i nivelit më të lartë të mundshëm në Shqipëri, konkurues me çdo produksion sivëlla në gjithë Botën.

Përsa i përket vlerave që ai përcjell tek teleshikuesit, ky është një diskutim tjetër.

Arsyeja përse i shkrova këto radhë, është risjellja në vëmendjen publike të forcës së jashtëzakonshme që televizioni ka si medium "tradicional". Problemi me të nuk është dalja "në plan të dytë" për arsye të përdorimit masiv të rrjeteve sociale. Problemi me televizionin është keqpërdorimi i tij.

Nëse televizioni do të përdorej për qëllime të mira, në kuptimin e progresit social-kulturor, asnjë medium tjetër nuk do ta kishte forcën dhe efikasitetin e tij.

©Edi Oga