Blog

Kur gabon inteligjenti çuditet edhe budallai - Nga Hajro Çini

Vladimir Putini e mori pushtetin në një kohë kur Rusia ishte pothuajse e falimentuar, me një ekonomi jashtëzakonisht të dobët, me një ushtri me një moral përtokë, dhe me një komb pa asnjë shpresë dhe me një nivel korrupsioni që kishte mbërthyer çdo qelizë të vendit. Për 22 vjet ai ia ndërroi faqen në mënyrë të jashtëzakonshme, forcoi ekonominë, forcoi ushtrinë, ia ngriti shumë lart moralin dhe krenarinë, ndërhyri në mënyrë shumë efikase dhe efiçente në Siri dhe e rriti prestigjin e Rusisë në nivele që ajo nuk i kishte ëndërruar. Ai rindërtoi shtetin, me dorë të fortë, se shteti vetëm ashtu mund të ndërtohet kur mungojnë institucionet e konsoliduara. Shkurt ai u tregua udhëheqës, deri dje.

E kisha menduar më të zgjuar Putinin dhe pandeha se ai do të luante bllofin për t’u marrë në konsideratë shqetësimet e Rusisë. Ai luajti shumë gabim me ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë dhe i hapi rrugën copëtimit të mëtejshëm të Rusisë, e cila do ta humbë këtë luftë.

Politika amerikane kishte dy anë, tradicionalja që të luante macja me miun me Rusinë, kur i duhej si mercenare, e paguante dhe ajo përdorej si mish për top, dhe e bënin armike kur nuk kishin armiq të fuqishëm, dhe një tjetër e promovuar nga Presidenti Trump që Kina është bërë rrezik më i madh për interesat amerikane në botë. Teza e Trump triumfoi më 2016 dhe politika amerikane e rivlerësoi rrezikun kinez.

Por një rrezik akoma më i madh do të ishte një aleancë midis Kinës dhe Rusisë, për më tepër që India ka një marrëdhënie të hershme me Rusinë, dhe pavarësisht interesave diametralisht të kundërta midis saj dhe Kinës, mund të anojë nga Rusia siç bëri gjatë 50 viteve të Luftës së Ftohtë.

Dalja e Turqisë si fuqi e madhe dhe pretenduese për të udhëhequr botën Islamike e komplikon akoma më shumë ekuacionin, ndërkohë që Europa ka një histori të gjatë luftrash midis shteteve të saj.

Në këto rrethana, sot më lindi mendimi, se USA i ka bërë llogaritë e saj. Rusia është fuqi shumë e madhe ushtarake, por edhe pse është rritur ekonomikisht është përsëri shumë larg për të përballuar një luftë të gjatë. Kina është bërë superfuqi ekonomike dhe fuqi shumë e madhe ushtarake. Buxheti i saj për ushtrinë është i dyti më i madh në botë, pas atij amerikan. Sa gjysma e këtij të fundit, por me kontroll më të rreptë dhe më rigoroz të burimeve, krahasuar me atë të USA.

Për të eliminuar mundësinë e një rreziku Ruso-Kino-Indian, USA i del më mirë llogaria që të shkatërrojë rrezikun rus si më të dobëtin ekonomik, dhe më pas të ketë përballë një Kinë, aleanca e të cilës me Indinë, pa Rusinë në ekuacion bëhet e pamundur.

Nga ana tjetër, sulmi rus mbi Ukrainën mbledh dhe rreshton Europën totalisht në krah të Amerikës. Pra me një gur, USA vret disa zogj njëkohësisht. Bashkon perëndimin rreth vetes për një periudhë të gjatë kohe, eliminon rrezikun rus, dhe bashkë me të edhe rrezikun e një aleance Ruso-Kino-Indiane. Putini gaboi shumë rëndë në llogaritë e tij, dhe se edhe do të paguajë shumë rëndë. Kur gabon inteligjenti çuditet edhe budallai.

©Hajro Çini