Korrupsioni i madh dhe kriza si justifikim për keq-qeverisjen - Nga Zef Preçi
Përkunder deklarimeve të besueshme të z. Rama për “luftën kundër korrupsionit të vogël” nuk mungojnë edhe lajmet për korrupsionin e madh (denoncimi për investimet strategjike të bashkëshortit të ministres së Jashtme Olta Xhaçka). Nëse është lajm i vërtetë (unë nuk dua ta besoj) më ngjan si vazhdim i garës së ethshme të pasurimit të shpejtë të elitës politike sunduese të vendit, kuptohet duke grabitur “me ligj” pasuritë publike.
Nderkaq, për të më hequr dyshimin tim dhe të nja dy milionë të tjerëve, që minimalisht nuk janë të lumtur me ndarjen e fondeve dhe të pasurive publike për një grusht oligarkësh dhe politikanësh pjestarë të elitës sunduese të vendit, dikush duhet të investigojë rastin në fjalë. D.m.th. SPAK-u, Inspektorati për Deklarimin e Pasurive dhe Konfliktin e Interesave, Prokuroria e Republikës, Drejtoria Kundër Pastrimit të Parave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (inteligjenca financiare), mas-media, agjencitë e tjera monitoruese të koncesioneve, lejeve dhe licensave publike, por edhe çdo taksapagues i këtij vendi duhet të zgjohen.
Jo për kureshtjen e ndokujt, por për të bere detyren shteterore për te cilen jane betuar dhe paguhen. Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë, veçanërisht opozita, ka rastin të kërkojë shpjegime nga institucionet. Jo për politiken gërrnjare të djeshme, por si detyrim ndaj taksapaguesve dhe në emër të atyre që duan të ndërtojne jetën e tyre këtu, në emër të atyre që nuk duan të ikin, siç kane ikur 40% e popullsisë se vendit…
E sa për elitën politike qeverisëse, është rasti të kujtojmë se ligjet klienteliste përmes të cilave sigurohen përfitime të pamerituara për klientët e qeverisë, janë edhe forma më e lartë e kapjes së shtetit dhe dëshmia më sinjifikative e dështimit të tij… Nuk besoj se duhet të presim për “non-grata”-t e radhës ndërsa Shqipëria po shteron çdo ditë, për shkak të keq-qeverisjes, madje jo vetëm nga rinia, por edhe nga cilido tjetër që lirinë dhe mirëqenien që buron nga puna dhe prona e lirë i ka të shenjta.
©Zef Preçi