"Na t’bijt' e shekullit t’ri”… - Nga Iva Grillo

Iva Grillo - Irlandë
Tani që fundi politik i zotit Basha duket pothuajse i pashmangshëm për shkak të trajektores politike që ka zgjedhur apo e kanë detyruar të ndjekë, si qytetarë e si votues potencialë nuk mund të mos themi dy fjalë për çetën që e ka shoqëruar zotin Basha në këtë udhëtim prej të dali mendsh dhe të pashpresë të muajve të fundit.
Dhe kjo jo sepse të folurit për të na jep ndonjë kenaqësi, përkundrazi… fytyrat e shumë prej tyre do të donim t’i harronim…
Por duket se narrativa e kësaj çete “kreshnikësh” vazhdon të zërë hapësirën publike, duke qenë një fyerje për intelektin e moralin e çdo qytetari që ata përfaqësojnë në rolin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Këta “bij të shekullit të ri”, tek rinia dhe botëkuptimi i të cilëve elektorati opozitar kishte varur shpresat për të ardhmen, kanë rezultuar të jenë një zhgënjim i pangushëllueshëm si në aspektin politik, ashtu edhe atë njerëzor.
Këta “bij të shekullit të ri” që mendojnë se pagëzimi politik ndodh vetëm po u fotografuan në krah të ambasadores amerikane, na kanë kthyer në institucion vasalitetin ndaj më të fuqishmit e servilizmin ndaj arrogantit, duke e shumëzuar elektoratin e tyre me zero.
Këta “bij të shekullit të ri” që nuk kanë as moralin “të lënë plakun në shenjtninë e tij”, kanë arritur të shkatërrojnë të gjitha pikat e referencës së shtepisë së tyre politike, të zhbëjnë pothuajse çdo betejë të mëparshme, duke i kthyer në një tallje të madhe sakrificat e elektoratit të tyre, që shpesh i ka ndjekur me kokë në torbë këta “kreshnikë”.
Këta “bij të shekullit të ri”, që përsa i përket narrativës së përdorur, si bien në gjumë në darke, nuk gdhihen në mëngjes, duhet të paktën të heshtin… të heshtin për një kohë të gjatë, t’i kërkojne falje me përulje elektoratit të tyre, e të ndalojnë së bëri moral e vendosin kushte.
Këta “bij të shekullit të ri”, do ta tmerronin Migjenin e madh, që thurte ëndrra për brezat e ardhshëm, gjithë dinjitet e forcë…
Si qytetare, do t’u kërkoja të gjithë anëtarëve të kësaj çete dorëheqjen nga detyra e deputetit!
Kjo sepse imoraliteti i tyre politik ia ka marrë fytyrën dhe djegur shpresën elektoratit të tyre. E kjo nuk mund dhe nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar.
Medet... këta “bijt' e shekullit t'ri” paskan lindur pleq... shumë më pleq se pleqtë që ata vetë tregojnë me gisht!
©Iva Grillo
Foto: Avni Delvina, cikli "Mea Culpa"