Blog

Perspektiva europiane, si vija imagjinare e horizontit - Nga Çapajev Gjokutaj

Sot me shumë se kurrë Ballkani duhet të jetë në BE, deklaroi gjatë vizitës në Tiranë Josep Borell. Është realiteti që nxit qendrime të tilla.

Sulmi rus ndaj Ukrainës po nxjerr në pah se BE duhet të nxitojë me proceset integruese, ndryshe boshllëkun që lë Perëndimi mund ta mbushë ekspasioni rus. Kjo është e vërtetë sidomos për Ballkanin Perëndimor ku influenca ruse është e madhe dhe në vende si Bosnja, Mali i Zi etj. ka dëshmuar e dëshmon se është edhe mjaft aktive e tinzare.

Po deri tani është provuar se tjetër janë deklaratat e institucioneve dhe zyrtarëve të BE-së dhe tjetër qendrimi i shteteve anëtarë, që kanë të drejtën e vendimit, madje edhe të vetos.

Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat për çeljen e negociatave, po prej vitesh pret një po nën hijen e proverbit përqeshës për gomarin dhe barin. Kosova i ka realizuar të gjitha kushtet për heqjen e vizave, po .... Maqedonia ndërroi dhe emrin për të lehtësuar integrimin, por sot e kësaj dite pret si gomari barin.

Edhe ukrainasit që nga viti 2014 u nanurisën në premtimet për perspektivën euroatlantike, por sot raketat dhe tanket ruse po përpiqen t’u errësojnë edhe perspektivën e mbijetesës si komb unik e i pavarur.

Në këto rrethana, do s’do ti, perspektiva europiane të kujton horizontin, vijën imagjinare që sa më shumë i afrohesh aq më shumë largohet.

Humori i zi për burokracinë e BE-së mund të të kujtojë edhe atë shpotinë që citonte Financial Times 5-6 vite të shkuara: Optimistët presin që Turqia të bëhet anëtare e BE-së gjatë presidencës shqiptare. Pesimistët presin që Shqipëria t’i bashkohet Europës gjatë presidencës turke.

Humor zeza, po ç’ti bësh, kur nuk qan dot do nënqeshësh, kurse bota do bëjë të sajën, siç e tha edhe ai skeptiku që lindi në Zagori dhe jetoi në Misir: kjo bot’ e gjërë e gjatë/do të vejë si ka vat...

©Çapajev Gjokutaj