Beteja për Ukrainën - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla
Prej qindra vjet ka patur një luftë midis “Lindjes” dhe “Perëndimit” për atë territor që sot quhet Ukrainë. Hera-herës kjo luftë është zhvilluar e nxehtë, me ushtri (teutonët, mongolët e Hordhisë së Artë, suedezët e Karlit të 12-të, panët polake dhe rusët e Moskovit) dhe hera-herës e ftohtë, me përplasje fetare dhe ideologjike. Kjo e tanishmja është vetëm një betejë e nxehtë që nuk besoj se do të jetë e fundit në luftën mes tyre.
Ka shumë gjasa që shpejt do të gjendet një kompromis, ku të dyja palët do të lëshojnë diçka për të marrë diçka tjetër. Rusia do të dëshironte ta aneksonte tërrësisht Ukrainën si shtet sovran, duke e futur në të ashtuquajturin “Union i shteteve të pavarura”, një strukturë që do ta bënte atë një shtet “de jure” të pavarur por faktikisht do ishte një shtet satelit i Moskës, i ngjashëm me Biellorusinë. Ukraina, nga ana e saj, do të dëshironte të lidhet ekonomikisht me BE-në dhe ushtarakisht me NATO-n, për të garantuar sovranitetin e saj afatgjatë. Besoj se nuk do të ndodhë as njëra dhe as tjetra. Të tillë janë kompromiset, shpesh edhe të dhimbshme, sepse gjithmonë reflektojnë raportin e forcave të palëve që negociojnë.
Sipas meje, trupat ruse do të tërhiqen nga Ukraina dhe ajo do të garantohet se nuk do të sulmohet përsëri ushtarakisht nga Rusia; do të rriten volumet tregëtare dhe kulturore me Perëndimin, por, me dhimbje, është e detyruar të pranojë neutralitetin (nuk do të hyjë në NATO); do të njohë Krimenë si pjesë integrale e Federatës Ruse, si dhe pavarësinë e dy Republikave lindore - Luhansk-un dhe Donetsk-un, me popullsi në shumicë ruse (mbase edhe një federalizim të Ukrainës, ku këto krahina të jenë republika, brenda Federatës).
Nëse do te ndodhë kështu, këtë betejë e fitoi Rusia. Shpenzimet për riparimin e dëmeve të luftës do të ndahen mes Ukrainës (borxhe në bankat perëndimore) dhe BE-së (ndihma). Rusia do të lehtësohet nga barra e sanksioneve që, sigurisht, po të zgjatin më shumë do ta dobësonin ekonominë e saj të brishtë, të bazuar mbi shitjen e lëndëve të para dhe burimeve energjitike. Kurse qeveria jonë rilindase do të korrte “lavdinë” e një vendi të vogël por me “shpirt” të madh, që, sa herë i jepet rasti, u vjen në ndihmë njerëzve në nevojë (refugjatëve), për llogari të tutorit të saj të radhës.
©Klodi Stralla



















