Blog

Ukraina: Përfundim me marrëveshje apo luftë e zgjatur? - Nga Çapajev Gjokutaj

Çapajev Gjokutaj

Thonë se ushtarët rusë që hynë në Ukrainë, në pajimet e tyre kishin edhe uniformën e paradës, që do të zhvillohej në Kiev. Parashikohej një luftë rrufe dhe një fitore e shpejtë. Ky parashikim nuk bëhej vetëm nga gjeneralët rusë, por edhe nga analistë ushtarakë perëndimorë.

Buronte mbase nga disproporcioni numerik e teknik mes ushtrisë ruse dhe asaj ukrainase. Po vinte mbase edhe si reminishencë e vitit 2014, kur rusët e morën Krimenë shpejt dhe u pritën mirë nga një pjesë e popullsisë, sidomos ajo rusofone.

Qëndresa e tanishme e ukrainasve tejkaloi dukshëm parashikimet e kompetentëve të luftës dhe është bërë burim respekti e admirimi në gjithë botën përparimtare. Pas tri javësh ndrysur e grisur fronteve të Ukrainës, uniformat e paradës në pajimet e ushtarëve rusë ngjajnë me një shpoti.

2.

Megjithatë ditët e fundit flitet për përfundimin e luftës me një kompromis tavoline. “Çdo luftë përfundon me një marrëveshje“, deklaroi të martën Volodimir Zelensky dhe shtoi se Ukraina e kishte kuptuar që nuk mund të bashkohet me NATO-n.

Lavrov përshëndeti komentin e Zelenskyt dhe tha se po shtohen shpresat që palët të bien dakord. Burime të ndryshme sqarojnë se ukrainasit priren të lëshojnë pe e të pranojnë një status neutral për vendin e tyre si dhe reduktim të qënësishëm të ushtrisë.

Parë në rrafsh formal këto lëshime ngjajnë, në mos me kapitullim, të paktën me nënshtrim.

Tifozët e luftrave dhe militantët e çartur mund të trashin zërin e të lëshojnē një bresheri pyetjesh: Perse u bë gjithë kjo luftë, përse u vranë mijëra ushtarakë e civilë pa kursyer edhe fëmijët, përse u shpërngulën mbi tre milionë refugjatë ukrainas, përse Perëndimi vuri sanksione të rënda kundër Rusisë, sanksione që po rrisin inflacionin kudo dhe rrezikojnë të sjellin një krizë ekonomike botërore?

3.

E megjithatë kjo është një luftë që duhet të mbarojë shpejt, me një marrëveshje të ngritur mbi lëshime nga të dyja palët. Zgjatja e saj përmban rreziqe të mëdha jo vetëm për ukrainasit dhe rusët po për gjithë botën.

Një fitore e shpejtë e ukrainasve është dëshirë e mirë por, për shkak të disproporcionit numerik e teknik, mund të realizohet vetëm në ëndrra. Mbetet vetëm opsioni i një lufte të gjatë.

Është e vërtetë që një luftë e zgjatur mund ta drobisë ushtrinë ruse dhe të sjellë krizë, pakënaqësi e trazira në Rusi. Por nuk do kalonte pa pasoja edhe në Perëndim.

Shtrëngesat ekonomike ne vendet perëndimore do të shuanin entusiazmin e fillimit, do krijonin pakënaqësi e protesta dhe do t’i detyronin politikanët të reflektonin, të shihnin interesat kombëtare e të mos ishin aq unikë sa janë sot në mbështetje të Ukrainës.

Në rang botëror një krizë e mundshme ekonomike, e shkaktuar nga pandemia, sanksionet e ndërmarra për këtë luftë dhe shpenzimet e rritura ushtarake, do të krijonte pakenaqësi e trazira. Dihet se në situata të tilla demokracia tkurret, kurse autoritarizmat dhe totalitarizmat shtohen. Bashkë me to shtohen edhe mundësitë e përplasjeve dhe gjakderdhjeve.

Media prestigjoze botërore perditë e më shumë po shprehin friken se një lufte e zgjatur mes Rusisë dhe Ukrainës, herët a vonë do të përthithte dhe NATO-n dhe mund të arrinte deri te pragu atomik. Dhe pastaj lufta me... shkopinj, siç tha Ajshtajni.

©Ҫapajev Gjokutaj

Foto: AFP Getty Images/Sergei Supinsky