Dorëheqja e Lulzimit, si gozhda e Nastradinit - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto
Dorëheqja e Lulzimit më kujton gozhdën e Nastradinit. Dikur Nastradini shiti shtëpinë, madje me një shumë të ulët që e gëzoi shumë blerësin. Por hileja e Nastradinit fshihej pas gozhdës. “E gjithë shtëpia dhe toka është e jotja, me përjashtim të kësaj gozhdës në mur” - i tha Nastradini blerësit. “Dakort tha blerësi, nuk prishemi për një gozhdë”.
Mirëpo nuk kaluan shumë ditë dhe Nastradini vinte në shtëpi ditën e natën dhe varte pallton. Aq shpesh vinte sa e detyroi blerësin të ikte nga shtëpia. Kështu edhe kryetari i detyruar të dorëhiqej Lulzimi. Pasi me pahir u detyrua të mërmëriste dorëheqjen, kërkoi një javë kohë. Sajoi lloj-lloj takimesh me kryetarë të emëruar që përbetoheshin për të vazhduar “betejën” me Lulzimin, por në fund “nguli” si gozhdë Alibeaj “trimin”.
Dhe jo një ditë a dy, por plot një vit e gjysëm derisa të mbarojnë edhe zgjedhjet lokale?! Lulzimi nuk zhgënjeu në uzurpim të karriges edhe pas tërheqjes. Pas humbjes dërmuese në 2017 ngriu në mes të beharit dhe shkriu në vjeshtë duke i mohuar garën për kryetar Astrit Patozit.
Pas humbjes së radhës në 2021 jo vetëm nuk “ngriu”, por i afroi zgjedhjet duke mos u lënë kohë sfidantëve as të bënin fushatë. Dhe qershia në tortë erdhi me largimin e fundit ku la jo vetëm pasardhësin, por edhe “strategjinë” e partisë pa kryetar derisa të turbullojë ujrat për të rikandiduar sërish pas zgjedhjeve lokale.
Ajo që është e turpshme në deklaratën e shkruar nga Lulzimi dhe të lexuar nga Alibeaj “trimi”, është thirrja e deputetëve të pezulluar të vijnë në gjirin e partisë se ju kemi “falur” dhe “ultimatumi” që Berisha mos kandidojë?! Berishës dhe disa deputetëve që Lulzimi me tarafin e tij i kanë përjashtuar “përjetësisht” nga Partia Demokratike, tani iu kërkojnë moskandidimin!
Ky grup uzurpues në krye të PD-së ende vazhdon të jetojë në iluzione, duke haruar që është një pakicë. Një pakicë që anëtarësia e ka shkarkuar në kuvendin e 11 Dhjetorit dhe këta padrejtësisht mbajnë ende zyrat dhe vulën që i përket anëtarësisë. Kjo situatë i shkon për shtat regjimit që mban peng edhe vendimarrjen e Drejtësisë.
Pesë vendime për një javë mori drejtësia jonë e shumëvarur (nga qeveria dhe Guverna ambasadoriale) për Federatën e Futbollit në favor të “boletrimit”. Tre muaj ka që e sorollat një regjistrim të Kuvendit të 11 Dhjetorit. Dëmi që Lulzimi dhe tarafi i tij i bëjnë iso “Bashizmit”, është shumë i madh.
Në anën tjetër Berisha e ka të qartë rrugën e tij. Ai do vazhdojë përpjekjet në bazë përmes takimeve të hapura për të shkëputur gjithçka ka mbetur nga përkrahësit e Lulzimit. Me ose pa vulë, ai do hyjë në zgjedhjet lokale si një faktor i fuqishëm opozitar. Dalja në skenën politike e Ilir Metës me të cilin do vazhdojë koalicionin, do ta bëjë më të fuqishme këtë lëvizje.
Në varësi të rezultatit të zgjedhjeve lokale, Sali Berisha do shikojë pozicionin e tij. Me statutin e ri të miratuar nga Kuvendi i 11 Dhjetorit, kryetari duhet të votëbesohet nëse humbet zgjedhjet lokale. Futja e primareve, votëbesimit dhe e dorëheqjes së parevokueshme të kryetarit që humbet zgjedhjet parlamentare, janë disa nga shërbimet esenciale demokratike që Sali Berisha po i bën opozitarizmit.
©Ilir Gjini





















