Lufta në Ukrainë dhe mediat militante në ndihmë të politikanëve - Nga Rob Kore

Rob Kore - Toronto
Lufta Rusi-Ukrainë është tema e ditës. Në këtë kontekst unë vazhdoj të vëzhgoj presidentin e SHBA Joe Biden, i cili ka një të mirë të madhe, që nuk e kanë politikanë të tjerë. Meqënëse harron se çfarë ka thënë vazhdimisht më parë, ndodh që pa dashje thotë të vertetën.
Për shembull, në Samitin e NATO-s në Bruksel ai deklaroi: “Sanctions weren’t meant to deter Putin from invading Ukraine”. Pra, në shqip, sanksionet nuk kishin për qëllim ta pengonin Putinin nga pushtimi i Ukrainës.
Po atëhere përse u bë gjithë ajo zhurmë, që ne po i bëjmë këtë e po i bëjmë atë Putinit? Ky do jetë fundi i Putinit etj., etj.
Prej një muaji, disa herë vetë Biden, por edhe shumë persona të rendësishëm nga administrata e tij, (Blinken etj.), po bëjnë propagandë me gjoja sanksionet që po i imponohen Rusisë, duke deklaruar se këto sanksione do ta gjunjëzojnë Putinin. Bile edhe Samiti i NATO-s, a nuk do bëhej për sanksione shtesë ndaj Rusisë?
Përse duhen atëherë sanksionet shtesë kur ato nuk e ndalojnë Putinin? Pra propaganda e sanksioneve duket që ka rënë nga vetë budallallëku i Biden. Për më tepër, po i njejti Biden deklaroi se sanksionet ndaj Rusisë do dëmtojnë edhe Perëndimin edhe Amerikën. Ne do kemi më pak ushqime - u shpreh ai.
Dhe sanksionet natyrisht që do t’i vuajë edhe Perëndimi, sepse Rusia është nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të lëndëve të para strategjike. Po ashtu Rusia është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të grurit e plot artikujve të tjerë bujqësorë.
Pavarësisht propagandës bajate në media, duket qartë se Biden i ka dhënë okay Putinit për pjesën jugore të Ukrainës, pra gjithë daljen që kishte në det Ukraina. Është ekzaktësisht, e njëjta histori, siç ndodhi në 2014, kur Obama-Biden i dhanë Putinit Krimenë. Pra llokmat më të mira të Ukrainës, po i merr Rusia, ndërsa Ukraina do mbetet një shtet pa asnjë lloj interesi, i drejtuar nga një Zelenski, i cili shiti interesat e vëndit të tij.
Zelenski i sotëm më kujton Enver Hoxhën e vitit 1946, kur Tito kishte përgatitur aneksimin e Shqipërisë me premtimin që Hoxhën do ta mbante si guvernator të Shqipërisë. Rastësia e shpëtoi Shqipërinë atëherë. Ndaj dhe më duket shumë qesharake kur propaganda e masmediave e bën Zelenskin hero, sepse Zelenski dhe Perëndimi mund ta ndalonin këtë luftë, por ata nuk duan.
Përse nuk duan?
Sepse kjo luftë bëhet për të mbajtur gjalle garën e armatimeve. Menjëherë mbas fillimit të luftës, Gjermania deklaroi se do të rrisë buxhetin ushtarak me 100 billion. Po ashtu do të veprojnë Franca, Hollanda, Anglia, Italia, Polonia, Çekia, Rumania, madje edhe qeveria Trudeau e Kanadasë
Pra SHBA do vazhdojë të shesë armë të reja, si kurrë më parë, por nga ana tjetër edhe Rusia do vazhdojë të shesë armë në Iran dhe vendet përreth. Dhe ndërkohë mediat vazhdojnë, duke përhapur frikën e një lufte bërthamore, e cila nuk ka për të ndodhur asnjëherë.
Ja përse.
Të dyja superfuqitë kanë në hapësirë një rrjet satelitor shumë të fuqishëm, i cili mbulon gjithë sipërfaqen e globit. Këta satelitë janë të aftë që të kapin brënda pak sekondash sinjalin që një superfuqi ka lëshuar një raketë bërthamore. Ky sinjal i kalon superfuqisë tjetër dhe aktivizon menjëherë mbrojtjen anti-satelitore, e cila asgjëson raketën në ajër.
Ndoshta gara armatimeve, është edhe arsyeja përse ne nuk kemi patur një luftë tjetër botërore në këta 80 vjet. Sepse sapo njëra superfuqi prodhon një armë të re, menjëherë superfuqia tjetër prodhon kundërarmën. Kjo e ka mbajtur botën në ekuilibër.
Në ditët e sotme, me sa pamë edhe këto 2 vitet e fundit, problem më i madh janë armët bakteriologjike. Shumë njerëz seriozë kanë deklaruar (dhe siç u pranua me shumë hezitim edhe nga Victoria Nulland në Kongres) që në Ukraine funksionojnë disa laboratorë të tillë. Këta laboratorë kanë patogjenë, të cilët janë vërtet të rrezikshëm për njerëzimin. Ky fakt mbahet i fshehur. Përse?
Mediat në vend që të na tregojnë këto të vërteta, na tregojnë përralla me partizanin hero Zelenski. Kjo është fatkeqesia më e madhe. Mediat nuk janë me ne. Mediat janë militante në ndihmë të politikanëve.
©Rob Kore