A mund të bashkohet Opozita? - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto
Kjo është pyetja që mundon shumë votuesit opozitarë sot. Pas një lufte gjashtë mujore ku palët u përplasën fort duke sulmuar njëra-tjetrën me artilerinë e rëndë të sharjeve, bashkimi duket i vështirë. Këtë bashkim e vështirësojnë artificialisht humbësit.
Të braktisur nga forumet që i shkarkuan në 11 Dhjetor dhe nga anëtarësia e simpatizantët që i “egzekutuan” pukblikisht në 6 Mars, vazhdojnë të kapen pas artificeve, procedurave e kleçkave, për të mbajtur të uzurpuar një logo që ka simbol lirinë. Një logo që është gdhendur me ëndrrat e studentëve dhe aspiratat e një populli që theu prangat e diktaturës, për të mos i zëvendësuar me prangat e oligarkëve që ndajnë fitimet e natës & naftës me regjimin, apo të kllounadës patronazhiste që merr toka në bregdet si shpërblim për kazmën që ngriti ndaj Teatrit Kombëtar.
Sa mjerane tingëllon deklarata e Alibeajt që vazhdon gjyqet për logon duke haruar që anëtarët e PD-së ia bënë gjyqin në 11 Dhjetor madje dërguan “Përmbarimin” për të dorëzuar logon e grabitur në 6 Mars.
Sa qesharake tingëllojnë dekaratat e Alibeajt që flet në emër të PD-së duke i kërkuar Berishës të mos kandidojë.
Po përse antarësia preferon më shumë një “non grata”? Nuk është e vështirë përgjigja e pyetjes. Sepse Ambasada e Rrugës së Elbasanit u doli garant, i shtroi në sofër dhe i shkeli syrin Edi Ramës që të grabisë zgjedhjet duke ndryshuar Kushtetutën.
E pra, Edi Rama ndryshoi Kushtetutën me votat e Partisë Socialiste. A mund të llogaritet si votë e popullit opozitar vota e Gjuzit, Jenisherit apo e Majlindës së kërpëratës? Kjo quhet grabitje e zgjedhjeve në tavolinë. Prandaj Alibeaj, Bardhi, Basha e ndonjë tjetër, jeni në rolin e Gjuzit sot. Vetëm 200 vota morri Gjuzi në zgjedhje. Aq do merrni edhe ju nëse iu heqin logon e grabitur të PD-së.
Mos t’ju gënjejë mendja se keni 13 % të votave. Prandaj deputetët kërcyen përpjetë dhe u zgjuan nga endrra amerikane e Kimit dhe e detyruan Bashën të dorëhiqej. E kuptuan që Kimi të jep vizë për në USA, por vizën për të kaluar traun e Parlamentit apo Kryeministrisë ta japin votat.
Provoni të dilni pa logon e PD-së dhe do shihni sa vota merrni. Vetëm Sali Berisha mundet të marrë vota si individ, sepse përfaqëson një pjesë të memories.
Anëtarësia më mirë pranon një “non grata”, sepse ju tradhëtuat të gjitha kauzat opozitare pas 25 Prillit duke u berë shtojca të regjimit. Pas një turi të dytë të Berishës në bazë, dhe një aksioni në sheshin e protestës, nuk do iu mbeten më mbështetës.
Nëse juristi Alibeaj vazhdon të mbajë me zor një karrige që ia ka hequr anëtarësia, shumica e Grupit parlamentar të PD-së do të ndërmarrë të njëjtin veprim siç bëri me Bashën. Përjashtim edhe nga Grupi parlamentar. Ky nuk do ishte fundi i botës. Ju mund të krijoni një parti të re, për të treguar talentin tuaj politik, prandaj zotërinj uzurpatorë që përfaqësoni një pakicë në rrudhje, mos flisni në emër të anëtarësisë.
©Ilir Gjini





















