Blog

Alibeaj, kryetar i komanduar i PD apo komandant suprem i përçarjes? - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Megjithëse pakicë në rënie të lirë, Enkeled Alibeaj vazhdon gjyqet për të mbajtur me ndihmën e regjimit logon e PD-së që në 6 Mars e ka humbur njësoj si “Xhaferi simiten”.

E ndërsa Rama shijon simiten e pushtetit, në prapaskenë punon fort që në krye të fallco-opozitës të lejë “Xhaferin” Alibeaj, që kënaqet me thërrimet e pushtetit duke mbajtur një PD thërrime, mjafton që Alibeaj, Bardhi, Basha e ndonjë vulëhumbur tjetër, të kenë një karrige në parlamentin e zgjedhjeve të ardhshme.

Me 10 poste të larta në Partinë Demokratike nga Qarku i Vlorës te Qarku i Shkodrës, e deri te posti i fundit i zëdhënësit të Ambasadores Kim, Enkeled Alibeaj njësoj si Basha, kërkon me ngulm të mbajë një karrige që e ka uzurpuar pa votën e demokratëve.

Alibeaj duhet të kuptojë që opozitar nuk të bën logo, e as karrigia që të jep Yuri Kim nga ambasada. Opozitar të bëjnë qëndrimet që mban në parlament e jashtë tij. Në skenë e në prapaskenë. A nuk ishte Alibeaj që votoi pro zgjatjes së Vettingut? A nuk ishte Alibeaj që abstenoi kur në parlament u votua buxheti?

E pra, ndodhi për herë të parë në 30 vite demokraci që opozita nuk voton kundër buxhetit te mazhorancës. Këmbëngulja me kokëfortësi e Alibeajt për të vazhduar betejën ligjore për pronësinë e PD-së kur populli demokrat foli në 11 Dhjetor e 6 Mars, vetëm vazhdon agoninë e opozitës dhe i shërben regjimit.

Nëse populli i opozitës nuk beson se Berisha nuk është i korruptuar dhe minues i demokracisë siç thonë disa nënpunës të US Department, ky është perceptimi i tij. Nëse populli i opozitës nuk beson se Rama është shumicë dhe nuk i ka fituar por vjedhur zgjedhjet me ndihmën e bashkëpunëtorëve patronazhistë të Sigurimit të pushtetit, pavarësisht se çfarë mendon ambasadorja Kim, ky është perceptimi i tij.

Alibeaj që pa futur mirë këmbët në karrigen e pushtetit po sillet si Ali-Beu i PD-së, duke e konsideruar Partinë Demokratike si pronë të tij e duke shmangur votën. Dhe këtë nuk e bën kot së koti. E di mirë që edhe ato pak vota mund t’i marrë jo si Ali-Beu i PD-së, po si një logo e respektuar 30 vjeçare.

Alibeaj duhet ta dijë mirë se PD-ja si investim i shumë shqiptarëve të etur për demokraci e prosperitet, nuk do shkojë në djall siç do Edi Rama. Partia Demokratike as do hajë bar po zgjodhi një “non grata”, siç thotë ambasadoria Kim, se është partia që rrëzoi komunizmin, hoqi vizat dhe antarësoi Shqipërinë në NATO.

Kjo zonjë ambasadore do ishte mirë të shkonte në Korenë e Veriut. Vetëm aty mund të bëjë deklarata të tilla të mentalitetit kolonialisto-komunist. Demokratët duhet të bashkohen rreth votës së lirë. Kjo është e vetmja mënyrë bashkimi.

Zgjedhjet vendore janë pas një viti dhe nuk ka kohë e energji për të humbur gjykatave të regjimit që dënojnë policët e Kukësit për bakshishe dhe lenë të lirë qeveritarët e milionave euro të grabitura me inceneratorë që djegin para publike dhe jo plehra. Zgjedhjet vendore të vitit té ardhshëm do krijojnë në garën reale, figura publike që mund të udhëheqin opozitën.

Alibeaj me shokë t’i lemë në kërkim të simites që “humbi” Xhaferi i pushtetit.

©Ilir Gjini