Blog

Dr. Liri Berisha dhe rasti i Orlando Rakipit, çfarë kontrasti! - Nga Enver Bytyçi

Enver Bytyçi

Ish-deputeti i Edi Ramës, Aqif Rakipi, u shpall jo vetëm non-grata, por atij iu ngrinë pasuritë nga ana e Departamentit të Thesarit të SHBA.

Megjithatë nuk u shpall non-grata djali i tij, Orlando Rakipi, edhe pse ai u zgjodh deputet përmes ndërmarrjes kriminale të babait të tij. Nuk e pësuan këtë fat as gruaja dhe anëtarët e tjerë të familjes së ngushtë të Aqifit.

A ishte kjo një pakujdesi? Jo! Ishte një përllogaritje politike në modelin aritimetik. Le të goditej Aqifi, me qëllim që të mbijetonte dhe të lihej në Parlament produkti i tij biologjik dhe kriminalo-politik, Orlando. Ky ishte interesi themelor i Edi Ramës dhe Ambasada u kujdes pikërisht që të mos e thyente këtë interes jetik të kreut të mazhorancës.

Ndërkaq, bashkë me Sali Berishën u shpall non-grata edhe gruaja e tij, Liri Berisha majin e vitit të kaluar. Edhe pse Doktoreshë Liria është dhe mbetet simboli e modeli i sjelljes dhe respektit njerëzor e familjar për gjithë shqiptarët, ajo nuk u kursye nga vendimi i DASH për të shoqin. Kurse djali i Aqif Rakipit, ulur në Parlament me vota të vjedhura, të blera e kriminale, siç thuhet për babain e tij në vendimin e Departamentit të Thesarit, nuk përbën rrezik as për Shqipërinë, as për SHBA.

Liri Berisha, e cila nuk mund të akuzohet për asgje, për asnjë sjellje jo korrekte, jo më për ndonjë aferë të caktuar, shpallet non-grata dhe i caktohet akuza si rrezik shoqëror e politik.

Ndërkaq nuk pashë asnjë grua a vajzë shqiptare, intelektuale, shkrimtare, mjeke, humaniste, veprimtare, politikane, që ta marrë në mbrojtje Liri Berishën, edhe pse ato e dinë dhe e ndjejnë të vërtetën.

Diktatura është frikë. Diktatura e frikës e mban në këmbë padrejtësinë. Ky shembull që dhashë më lart është provë se ne jetojmë nën diktaturën e frikës.

Në Shqipëri është rrënuar dhe tjetërsuar raporti me të vërtetën. Është varrosur e drejta dhe paanesia, është shembur demokracia. Dhe e gjitha kjo me ndihmën e administratës së atij vendi, SHBA, e cila ishte aktori dhe faktori kryesor i fitores së demokracisë në vendin tonë.

Unë nuk do të resht t'i shënoj këto të vërteta të hidhura!

©Enver Bytyçi