“Pushteti i të papushtetshmëve” dhe dështimi ynë moral - Nga Agim Baçi
Disa dekada më parë, në kohën e disidencës së tij, Vaclav Havel do të shkruante një ese: “Pushteti i të papushtetshmëve”, që u kthye në ikonë të disidencës në Europën Lindore. Aty ai shpjegonte vetëmashtrimin për pafuqinë e një perimeshitësi, që detyrohet çdo ditë të varë në dritaren e dyqanit të tij shënimin ku shkruhej: “Punëtorë të botës, bashkohuni!”
Havel e shpjegon se perimeshitësi nuk është ndonjë entuziast i idealeve komunistë, por frika nga ndëshkimi e bën atë që të jetojë në një “besim mashtrues” se nuk mundet ta ndryshojë realitetin. “Por çdo të ndodhte nëse një ditë të gjithë perimeshitësit do t’i ulnin poshtë këto shënime?”, pyeste Havel. Përgjigja ishte e qartë: ky do të ishte fillimi i një revolucioni. Pra, thjesht perimeshitësi nuk është kaq i pafuqishëm. Përkundrazi, ai është mjaft i fuqishëm, por janë mosbesuesit që lejojnë që loja e vetmashtrimit të vazhdojë.
Haveli besonte se dështimi i perimeshitësit për të jetuar me të vërtetën është një dështim moral: ai është fajtor për mbështetjen e sistemit që e shtyp atë. “Fakti se ai jeton një gënjeshtër, se të gjithë jetojnë një gënjeshtër, nuk e largon të vërtetën, por vetëm e demoralizon personin që të kërkojë një jetë me të vërtetën”, shkruante Havel.
Por perimeshitësi i Havelit duket sikur nuk i përket vetëm diktaturave. Ai i përket çdo shoqërie ku mbreti ecën lakuriq, por ku qytetarët nuk kanë guxim t’ia thonë në sy. Perimeshitësi i Havelit është vetëmashtrimi që mund të jetë te kushdo që sot jeton me bindjen se nuk mundet t'ia dalë, se gjithçka është e përcaktuar nga të tjerët dhe se kurajo e tij nuk vlen.
“Qytetërimi ynë është ngritur mbi urrejtje. Në botën tonë nuk do të ketë ndjenja të tjera veç frikës, zemërimit, triumfit dhe vetëposhtërimit”, shkruan George Orwell, duke parashikuar ndoshta më saktë se kushdo tjetër diagnozën e dështimit tonë të përditshëm moral në betejën me të keqen dhe të padrejtën.
©Agim Baçi