Blog

Albania first, peticioni kundër Yuri Kim është i drejtë - Nga Rob Kore

Kam biseduar shpesh herë me kanadezë në lidhje me politikën e sotme në Kanada, madje jo vetëm për politikën, por edhe për ekonominë, sistemin e taksave, sistemin shëndetësor, sistemin e arsimit, infrastrukturën, etj. Përveçse për të mirat e padiskutueshme që ka ky vend, iu kam shprehur opinionet e mi mbi problemet me të cilët përballet Kanadaja në lidhje me disa aspekte të demokracisë, siç jane free speech, racizmi, white supremacizmi, largimet nga puna të gazetarëve, por edhe personave të tjerë për qëndrimin e tyre politik, arrestimet e njerëzve të fesë në mes të rrugës, apo arrestimi i disa aktivistëve për shkak se ata protestojnë ndaj qeverisë, qëndrimi skandaloz i kryeministrit Trudeau ndaj kamionistëve, etj.

Po jap një shembull. Një gazetar i njohur kanadez u hoq në moment nga puna, vetëm se ai dha 5 minuta intervistë tek Tucker Carlson. Po ashtu u kam thënë se une respektoj të gjitha fetë e ndryshme në këtë vend. Kam theksuar veçanërisht se une respektoj fenë e krishterë, sepse është feja e të ardhurve të parë nga Europa që kanë populluar këtë vend dhe është feja që ka besimtarët më të shumtë në Kanada.

Jo të gjithe emigrantët në Amerikë dhe Kanada respektojnë fenë e vendeve ku kanë emigruar. Kam dënuar një rast kur një polic me origjinë nga Azia refuzonte të mbante kapelen e policit, sepse ai mbante turban në kokë dhe për arsye të besimit të tij, ai nuk pranonte të hiqte turbanin dhe të mbante kapelen, në përputhje me etikën dhe rregullin e uniformës së policit.

Mbas kritikave që unë kam bërë për Kanadanë, të gjithë bashkëbiseduesit kanë respektuar opinionet e mi, duke qenë ose jo dakord me ta. Bile njëri prej tyre mbaj mend më tha: Ky vend ka nevojë për më shumë njerëz si ju.

Amerika dhe Kanadaja kanë shumë shqiptarë dinjitozë, edhe nga brezi i parë, edhe nga brezi i dytë, që na bëjnë të gjithëve të ndihemi krenarë. Ata janë vlerë e shtuar për Kanadanë dhe Amerikën.

Debate të tillë kam patur edhe me amerikanë. Disa nga përgjigjet e tyre janë: njoh shumë shqiptarë, ata janë njerëz shumë të mirë, të ditur, të zgjuar, njerëz që janë të orientuar nga familja, njerëz që interesohen për shkollimin sa më të mirë të fëmijëve të tyre etj., etj.

Natyrisht na ka qelluar disa herë si me kanadezë edhe me amerikanë, që të kemi patur pikepamje krejt të kundërta, për politikën, për klimën, për sistemin shëndetësor, për indoktrinimin e sistemit arsimor, për Covid dhe trajtimin nga ana e qeverisë kanadeze, etj., etj. Por në asnje rast asnjë prej tyre nuk më ka thënë si ka mundësi që një shqiptar të kritikojë Kanadanë apo Amerikën.  Aq më shumë të më kujtojë pse kam ardhur këtu.

Jam i sigurtë që as nuk iu shkojnë në mendje mendime të tillë, e as që bëhet fjalë të të ofendojnë për shkak të kritikës ndaj vendit të tyre. As nuk kanë thënë kurre si ka mundësi që një person nga një vend i prapambetur si Shqiperia të kritikojë Amerikën apo Kanadanë. Përkundrazi, ata thonë, me aq kohë sa keni në Kanada, jemi të impresionuar sa mirë i njihni problemet që ka ky vend.

Po përse kjo sjellje e amerikanëve dhe kanadezëve ndaj emigrantëve kritikë të Amerikës dhe Kanadasë?

Për tri arsye kryesore: E para, ata janë vetë kritikë ndaj problemeve të vendeve të tyre dhe të kuptojnë shumë mirë. Jo vetëm kritikë, por edhe reagues shumë të fortë edhe në rrugë dhe në rast se zemerimi i tyre është i madh, ata përdorin edhe dhunë. E dyta, ata respektojnë mendimin e tjetrit, kushdo qoftë ai dhe çfarëdo që të thotë (në Perëndim respektohet edhe dikush që tallet me Krishtin). E treta, ata respektojnë njeriun që kanë përballë, pra respektojnë dinjitetin e qenies njerëzore, qofsh ti shqiptar apo amerikan, qofsh ti i zi apo i bardhë, qofsh ti i shkurtër dhe i shemtuar, apo i bukur, qofsh i shkolluar apo i pashkolluar, qofsh 10 vjeç apo 60 vjeç.

Po me ne shqiptarët çfarë ndodh?

Jam disgustuar nga qëndrimi i disave lidhur me një peticion qytetar drejtuar shtetit amerikan për të protestuar mbi sjellen dhe veprimet e ambasadores Yuri Kim. Natyrisht nuk disgustohem nga qëndrimet e Kreshnik Spahiut, Spartak Ngjelës apo Brisida Gjikondit. Këta janë njerëz pa shtyllë kurrizore dhe ata udhëhiqen vetëm nga përfitimi material apo monetar, ose janë nën ndikimin e të kaluarës së tyre, siç është rasti i Gjikondit. Por është vërtet disgustuese sjellja e disa të tjerëve që arrijnë deri aty sa të shprehen edhe në këtë mënyrë: edhe sikur Yuri Kim apo Amerika ta ketë gabim, ne nuk duhet të bëjmë peticione.

Ky është mentaliteti i skllavit dhe krijon efektin e kundërt tek disa burokratë që dërgon Amerika në Shqipëri. Sa më shumë ata dallojnë mungesën e dinjitetit dhe mosreagimit, aq më arrogantë ata bëhen. Kjo ka ndodhur edhe me Yuri Kim. Ajo vazhdon dhe bëhet gjithmonë e më shumë arrogante, sepse ka kuptuar mentalitetin tonë.

Kam idenë, se ata që reagojne kundër peticionit nuk e njohin shumë mirë Amerikën, por ata duhet ta dinë, që Amerika nuk ndëshkon Shqipërinë për shkak të një peticioni kundër një burokrateje.

Këtë lloj frike e përhapin politikanët tanë, sepse ata luajnë me proamerikanizmin dhe antiamerikanizmin thjesht për kapital politik. Ata e dinë shumë mirë që ne kështu kemi qenë tërë jetën: Rroftë turku, poshtë turku; Rroftë Jugosllavia, poshtë Jugosllavia; Rroftë Rusia, poshtë Rusia; Rroftë Kina, poshtë Kina.

Ata që hiqen si proamerikanë nuk e kuptojnë që Amerika nuk funksionon si inatçinjtë ballkanas. Amerika ka parime krejt të kundert. Shumë herë parime të drejtë dhe të moralshëm, shumë herë të tjerë, të padrejtë dhe të pamoralshëm, por gjithmonë në interes të saj.

Amerika është shumë e ndërlikuar, për ta percaktuar atë me një fjali të vetme. Ato që bën dhe thotë Amerika, ne duhet t’i analizojmë në veçanti e për çdo rast, duke patur gjithmone parimin “Albania first”. Aty ku ne përfitojmë prej Amerikës duhet t’i jemi mirënjohës. Këtë e kemi bërë dhe e bëjmë. Ne i jemi mirënjohës Amerikës për shumë gjëra, që nga koha e presidentit Wilson e deri sot. Ajo që duhet të na shqetësojë është kur dëmtohemi. Në këtë rast duhet të mbrojmë interesin tonë, duke argumentuar qëndrimin tonë me fakte dhe me dinjitet. Përndryshe kthehemi në karagjozë si Spartak Ngjela, që flet si “Nostradamus” i FBI-së dhe CIA-s.

Peticionet online nëpermjet Change.org, janë një formë proteste demokratike, që përdoret me mijëra herë në javë nga grupe të ndryshëm në gjithë botën kundër padrejtësive që ata mendojnë se iu bëhen. Këto peticione drejtohen kundër kujtdo, pavarësisht sa i fuqishëm apo me pushtet është. Ne në Kanada firmosim vazhdimisht peticione kunder kryeministrit Trudeau dhe politikave të tij.

Ndaj kam bindjen, që peticioni kundër Yuri Kim është më se i drejtë. Është i drejtë jo vetëm për ato që bën Yuri Kim, por më shumë është i drejtë për ato që nuk bën Yuri Kim, sepse qeveria e Edi Ramës ka mbushur tashmë një libër me skandale, të cilët kanë dëmtuar rëndë demokracinë dhe ekonominë e brishtë shqiptare dhe Yuri Kim nuk ka folur kurrë për to. Qëndrimi me dy standarde i saj është shumë i rrezikshëm. Kur ke dy standarde, do të thotë që nuk ke standard fare. Dhe kjo po ndodh në Shqipëri sot. Shqipëria vazhdon dhe zbret gjithmonë e më poshtë në të gjithë anketimet botërorë të treguesve të demokracisë, krimit dhe korrupsionit.

Peticioni i djeshëm për shqiptaret, mbas 30 vjetësh të bindur dhe të përulur deri në qesharakë ndaj të huajve, është një hap pozitiv. Shqiptarët, kanë filluar të çlirohen nga disa frikëra, të cilat i kanë të ngulitura thellë në ndërgjegje, për shkak të historisë, për shkaqe që ne i dimë mirë.

©Rob Kore

Tagged under Flasshqip.ca Rob Kore