Blog

Po nuk repektove veten, as miku nuk të respekton - Nga Ardian Radovicka

Askush nuk urrehet më shumë se ai që thotë të vërtetën. Kjo shprehje e famshme e Platonit të bën të mendosh se raporti që qëniet njerëzore kanë pasur me të vërtetën nuk ka qenë aq i lehtë që në lashtësi. Kjo gjë konstatohet edhe sot e gjithë ditën, kur ndershmëria është një dhuratë gjithmonë e me e rrallë, që nuk mund të pretendohet nga gjithkush.

Ditët e fundit shumë zhurmë është bërë në rrjete dhe në banakët e Tiranës rreth “blasfemisë” që bënë disa qytetarë të lirë, që jetojnë në Perëndim, ndaj ambasadores së SHBA në Tiranë. Pa dashje apo me dashje njerëzit hynë në lojën e stisur pro apo antiamerikane. Faktet janë mëse të qartë, që veprimet dhe mosveprimet e ambasadores janë në shkelje të Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare. Por me sa duket e vërteta nuk ka rëndësi për “tifozët e zjarrtë” të Amerikës, që e duan atë pa kushte, siç deshën dje jugosllavët, rusët dhe kinezët. Për ta ambasadorja amerikane është gjithmonë në rregull. E para, për atë që ka bërë Amerika për kombin tonë dhe Kosovën. E dyta, sepse ajo nuk bën politikë personale, por ndjek politikën e presidentit të Amerikës. E treta. sepse peticioni është frymëzuar nga Berisha.

Le t’i marrim me radhë të treja.

1. Populli shqiptar është populli më proamerikan në botë, për të mirat që Amerika ka bërë për kombin tonë gjatë historisë së largët dhe të afërt. Të gjithë i janë mirënjohës dhe kjo miqësi duhet të vazhdojë, por ama çdo miqësi nuk nënkupton kurrë që të mos respektohen disa rregulla. Nëse në Shqipëri janë mësuar me mosrespektimin e rregullave, ky standard nuk vlen për Diasporën. Kjo gjë e bën edhe më të domosdoshme pjesëmarrjen e Diasporës në jetën politike të Shqiperisë.

Përsëri ia vlen t’i referohemi Platonit që thoshte: “Një nga gjobat për mospjesmarrjen në politikë është që ju përfundoni të qeveriseni nga inferiorët tuaj”. Qytetarët e lirë në Shqipëri dhe Diasporë nuk mund ta honepsin që ambasadorja të heshtë kur prishet Teatri Kombëtar, të deklarojë fitorën e pushtetit para KQZ, t’i japë të hajë bar opozitës, të ndërhyjë në pushtetin gjyqësor, të heshtë për korrupsionin galopant qeveritar në vend që të ngrejë zërin në sintoni me raportin e fundit të DASH, i cili nxin punën e qeverisë.

2. Shumë kritikues të peticionit thonë që ambasadorja nuk bën politikë personale. Dihet që ajo përfaqëson DASH dhe presidentin e Amerikës. Por ama ajo ka zgjedhur të veprojë në sintoni me DASH për opozitën dhe jo në sintoni për pushtetin. Kjo diskordancë duhet të sqarohet prej saj, apo prej eprorëve të saj. 

Vetë amerikanët në shumicë janë kundër politikave të presidentit dhe reputacioni i tij është në rënie. Bile së fundi kanë nisur dhe një peticion për të ditur gjendjen e tij të rënduar shëndetësore. Sipas logjikës së tyre, kritikuesit e peticionit janë më proamerikanë se sa vetë amerikanët. Hajde ç'vete!

3. Disa “intelektualë” banaqesh kanë dalë me teorinë që ky peticion është frymëzuar nga Dr. Berisha. Nuk kam parë asnjë mbështetje apo deklarim të tij, apo nga ata afër tij dhe nuk kam ndonjë arsye ta besoj këtë si të vërtetë. Sa i përket Dr. Berishës, kush më shumë se DASH dhe sigurisht ambasada ka kontribuar për ta faktorizuar atë sërish në politikën shqiptare? Nuk mund të them që e kanë bërë me dashje, por ama deklarimi i tij non grata për korrupsion pas 8 vjetësh, në një kohë që korrupsioni aktual në Shqipëri po gëlon si kurrë ndonjëherë ka sjellë efektin e kundërt.

Përfundimisht mendoj që iniciuesit dhe mbështetësit e peticionit ndaj ambasadores e duan shumë Shqipërinë, por dhe Amerikën, se ai që të do, t’i thotë të vërtetat në sy. Ky peticion që është nënshkruar nga mbi 6,000 vetë në një kohë të shkurtër, vetem na nderon si njerëz të lirë, me dinjitet, me respekt për veten, por edhe për mikun.

Po nuk repektove veten, as miku nuk të respekton.

©Ardian Radovicka