Blog

5 maji dhe vetmia mjeruese e pushtetit - Nga Dom Gjergj Meta

Dom Gjergj Meta

Një ndër njerëzit më të rëndësishëm të mijëvjeçarit të dytë është me siguri Napoleon Bonaparti. Hegeli e bëri të pavdekshëm në filozofi me shprehjen e tij të famshme se Napoleoni mishëron shpirtin e botës. Manzoni në letërsi i kushtoi një poezi me titullin "5 maji", dita e vdekjes së tij, duke thënë se: "Così percossa, attonita la terra al nunzio sta".

E sa e sa biografi ndër vite i janë kushtuar këtij njeriu.

Napoleoni iu kundërvu me forcën e armëve regjimit të vjetër mesjetar e madje ndër të tjera ndryshoi edhe natyrën e së drejtës duke krijuar kodet kontinentale, përkundër common law ishullor. Qëndroi mbi kalë midis dy epokash. Çka nuk arritën iluministët me forcën e pendës apo me kryepremjet e giljotinës e arriti Napoleoni me majat e bajonetave dhe me intuitën e një strategu të jashtëzakonshëm.

Por pak rëndësi ka kjo për çka dua të them.

Një njeri që solli ndryshimin midis dy epokave, e mbylli jetën e tij në një mjerim, i degdisur në ishullin e shën Elenës, diku afër brigjeve të Afrikës së Jugut, në Oqeanin Atlantik. Nuk ka vuajtje më të madhe se sa harresa e provuar mbi lëkurë sa je gjallë.

Jo vetëm shpartallimi i Waterloo-së së famshme, por edhe vetë jeta e tij në ditët e fundit tregoi se, sado i pushtetshëm të jesh, një ditë do të bësh llogaritë me vetminë që ky pushtet të ka krijuar, me urrejtjen që është mbledhur rreth teje kur ishe i pushtetshëm dhe sidomos që bota ecën para edhe pa ty. Kësaj dite, çdokush që ka apo ka pasur sadopak pushtet, qoftë edhe në lagjen e tij si kryeplak, duhet t'i përgatitet.

Njeriu që i dha aq shumë Evropës, pavarësisht gjakut që derdhi, përfundoi i vetëm në një ishull. Më duket simboli i çdo pushteti, sidomos kur është i përshkuar nga frika e humbjes së tij e cila kthehet në një energji shkatërruese dhe arrogante për çdokënd, sidomos për atë që mendon se i rrezikon pushtetin.

©Dom Gjergj Meta