“Mejdanxhinjtë” e gjuhës - Nga Mehmet Elezi
Pika shpon gurin, thonë. Pikë-pikë vazhdon shkatërrimi i gjuhës shqipe. Bash nga ata që duhet ta mbrojnë. Pikë së pari, nga përfaqësuesit e shtetit. Problemi është shumëpërmasor, me shumë aktorë. Tre shembuj të kohëve të fundit për “shpikësit” zyrtarë të fjalëve “moderne”. Pa analizë.
Citon media:
“Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës… ka inspektuar rrugën e Rinasit, ku tha se qarkullimi i automjeteve do të kthehet me dy sense lëvizjeje. Ajo tha se situata e krijuar me një sens lëvizje…”.
Ç’do të thotë “sens”? Shqiptarët thonë drejtim, nuk thonë sens.
Zonja në karrigën ministrore do të tregojë se është “moderne”, di gjuhë të huaj? Pa dashje kallëzon primitivizëm: nuk di mirë as shqip.
Media (e Covid-it):
“Dallimin e bën vetëm numri i fataliteteve. Kemi 38 fatalitete më shumë në harkun e dy javëve të fundit…”.
Burim i njoftimit, ministria e Shëndetësisë. Edhe vetë zonja në karrigen ministrore kurrë nuk foli për humbje jete ose vdekje. Foli për “fatalitete”.
Ajo dhe vartësit duan të tregojnë se janë “modernë”, dinë gjuhë të huaj? Pa dashje kallëzojnë primitivizëm: nuk dinë mirë as shqip.
Media:
“Shqipëria po plaket shpejt, mosha mediane e grave arrin 39.1 vjeç, e burrave 37.3”.
Ç’do të thotë “mediane”? Vazhdon “sqarimi” në kllapa: “(mosha mediane nënkupton që 50% të grave janë nën këtë moshë dhe 50% mbi këtë moshë), raportoi INSTAT”. Pra formulimi është i INSTAT, institucion shtetëror.
Shqiptarët nuk thonë mosha mediane, nota mediane, paga mediane. Thonë mosha mesatare, nota mesatare, paga mesatare. Nuk thonë medianisht. Thonë mesatarisht.
Zyrtarët e INSTAT duan të tregojnë se janë “modernë”, dinë gjuhë të huaj? Pa dashje kallëzojnë primitivizëm: nuk dinë mirë as shqip.
“Mediane”-xhinjtë (mejdanxhinjtë!) qeveritarë po e vrasin përditë gjuhën shqipe. Të parët, por jo të vetmit.
©Mehmet Elezi





















