Fitore e thellë e Konservatorëve dhe disfatë totale e Liberalëve në Ontario - Nga Hajro Ҫini
Asnjë suprizë e madhe në zgjedhjet provinciale të Ontarios. E vetmja që mund të konsiderohet jo e parashikuar ishte fitorja aq e thellë e Konservatorëve dhe shkatërrimi total i Liberalëve për të dytën herë radhazi. Korrupsioni galopant i ish-kryeministrit Dalton McGuinty me sa duket nuk është harruar ende. Kanadezët në përgjithësi reagojnë me pak vonesë, por janë të rreptë në ndëshkim. E njëjta gjë pritet t’i ndodhë edhe Justin Trudeau në një të ardhme jo të largët. Sigurisht nuk mund të mohoet që dhe Doug Ford, pas 4 vitesh kryeministër, ka meritën e vet në fitoren e djeshme, akoma më të thellë se ajo e vitit 2018.
Historikisht është perceptuar në publik që Konservatorët e forcojnë ekonominë kur janë në pushtet, balancojnë buxhetin, krijojnë vende pune dhe këto arrihen me politika fiskale të përgjegjshme. Por politika të tilla cënojnë edhe një amalgamë interesash, të cilat i shfrytëzon me shumë efikasitet dhe një propagandë shumë efiçiente e Majta, për të ardhur në pushtet e për të adresuar nevojat për “programe” sociale totalisht joefiçientë dhe shpesh të gërryer nga korrupsioni.
Kështu që demokracia kanadeze i përjeton ndryshimet natyrshëm. Kur të Majtët vijnë në pushtet, veprimin e parë që bëjnë shkatërrojnë buxhetin e balancuar dhe krijojnë premisat për dobësim ekonomik. Kur maska bie, votuesi kthehet përsëri tek Konservatorët për të forcuar ekonominë.
Interesant është fakti i raporteve partiake Federal-Provincë. Ontario është lokomotiva ekonomike e gjithë Kanadasë, për rrjedhojë shpesh këtu fitojnë forcat me programe të përgjegjshme fiskale dhe kjo zakonisht përkthehet në fitoren e Konservatorëve, ndërkohë që ka një aleancë implicite midis Partisë Konservatore të Provincës së Ontarios me Partinë Liberale Federale. Kryeministri konservator i Ontarios Bill Davis (një politikan dhe shtetar shembullor) ishte çuditërisht edhe mbështetësi i Trudeau-së së parë.
Në përgjithësi sa herë që në Ontario fitojnë Konservatorët, në Kanada vijnë në pushtet Liberalët, me shumë pak përjashtime dhe anasjelltas. Duhej të ikte Harper, një nga kryeministrat më të aftë dhe më të ndershëm të Kanadasë nga pushteti, që të hiqeshin qafe në Ontario liberalët e Dalton McGuinty dhe Cathleen Wynne.
Një faktor tjetër që i ka ndihmuar jo rallë Liberalët të vijnë në pushtet në Kanada ka qënë edhe bllofi i Québec për t’u shkëputur nga federata. Sa herë që fillon të fryjë fryma separatiste në Québec, çuditërisht në pushtet vijnë Liberalët dhe ata ndeshen me referendumet. Kemi kohë që nuk kemi dëgjuar frymë të tillë dhe për këtë ka një meritë të jashtëzakonshme Jean Chrétien, i cili këmbënguli që të vihen rregulla të qarta në referendum dhe për pasojë bllofistët separatistë humbën thellë atëherë dhe nuk e kanë marrë veten akoma. Shpresoj të mos e marrin veten kurrë më, për të mirën e Quebéc dhe të Kanadasë.
©Hajro Ҫini