Blog

Mbresa zgjedhjesh në Ontario dhe pak retrospektivë shqiptare - Nga Endrit Mullisi

Për arsye të një eksperience të re, vendosa të shkruaj diçka në lidhje me procesin e zgjedhjeve këtu në Ontario, sigurisht edhe me idenë për ta krahasuar me eksperiencën time zgjedhore të mëparshme në Shqipëri.

Ditën e zgjedhjeve legjislative provinciale, më 2 qershor 2022, punova në një nga qendrat e votimit të lagjes sime, nga ora 8 e mëngjesit, deri në orën 11 të darkës. Kur u mbyll gjithë procesi më dhimbnin këmbët, por nga ana tjetër pata disa përjetime dhe u motivova t'i shkruaj, për ata që kanë kohë t’i lexojnë ato që përjetova.

Kisha rolin e Tabulator, pra në ngarkim të pajisjes që numëronte votat, ndërsa qytetarët do i hidhnin në kutinë e votimit. Disa ditë përpara, u trajnova për disa orë me shumë të tjerë, nga njerëz shumë të thjeshtë dhe jo mëndjemëdhenj, për të operuar pajisjen me qëllim evitimin e gabimeve dhe për të kontrolluar nëse diku do të kishte ndonjë manipulim.

Në mbrëmjen para ditës së zgjedhjeve, për disa orë bashkë me grupin e punës prej 6 personash të Qendrës së Votimit (e vendosur në palestrën e një shkolle fillore), testuam gjithë pajisjet dhe bëmë gati çdo material për të nesërmen në mëngjes.

Në orën 8 në mëngjes të nesërmen ishim aty dhe ora iku shumë shpejt, ndërsa shihnim njerëz që po shtonin radhën tek oborri i shkollës dhe prisnin të votonin që në fillim. Në garë ishin 9 kandidatë të partive të ndryshme, por beteja e vertetë bëhej mes tre partive kryesore, Konservatorëve, Liberalëve dhe NDP.

Në sallë nuk kishte asnjë përfaqësues partie, asnjë polic për të mbajtur rendin apo për të ngjallur frikë. Nuk kishte vëzhgues, përveç dikujt që ishte i njërës nga partitë, i cili erdhi 5 minuta kur u hap procesi i votimit dhe u kthye 15 minuta përpara se të mbyllej votimi. Ai u ul tek një karrige dhe iu afrua tablosë ku unë paraqita rezultatin përfundimtar të asaj qendre, rezultat i cili doli brenda 2 minutash. E pyeta nëse ishte i mërzitur që partia e tij nuk kishte dalë e para. Qetësisht më tha: “pritej një betejë midis tre kandidatëve, kështu që nuk është shumë surprise”. I bëri një foto rezultatit, firmosi në tre kopjet e proces-verbalit dhe u largua.

Përgjatë gjithë votimit 12 orësh, nuk dëgjova asnjë bisedë apo koment politik nga askush, përveç një vajze të vogël që e pyeti mamanë, ndërsa vota e saj po kalonte nëpër pajisjen që administroja unë: “Për kë votove ti mami?” Ajo iu kthye me buzëqeshje: “Vota është sekrete zemër”. Pati edhe një grua që më kujtoi ca në Shqipëri që votonin me gishtat në formë V-je, e cila duke dalë tek dera tha: “Gjithmonë do votoj Liberalët!”.

Procesi vazhdoi shume i qetë, edhe kur njerëzve iu desh të prisnin gjysëm ore për shkak të një defekti me kompjuterat që nuk lidheshin në rrjet. Të gjithë prisnin në qetësi, secili duke folur me zë të qetë më personin me të cilin kish ardhur.

Veshja e njerëzve më bëri përshtypje gjithashtu. Ca me rrobat e vrapit, të tjerë me kominoshet e punës dhe kepucë muratorësh (construction shoes), ca me qentë kureshtarë, e të tjerë me femijët që i merrnin në shkollë.  Disa të rinj ishin me emocion se po votonin për herë të parë. (Një sqarim, në Kanada zgjedhjet nuk organizohen asnjeherë në fundjava, por gjatë ditëve të javës.) Të paktën tre të verber u ndihmuan nga stafi ynë që të votonin. Pashë pleq që mezi ecnin, por edhe prindër me femijë me aftësi të kufizuara.

Më tërhoqën vëmendjen gjithashtu disa komente gjysëm me shaka, nga disa njerëz që shprehnin pasigurinë që vota e tyre nuk do të numërohej saktë. Shpesh më thonin se mos pajisja ime është “shredder”, që copëton letrat dhe jo numërues. Pjesa më e madhe e tyre kishin aksent nga vendet e Evropës Lindore. E kuptoj pse ata që janë djegur më parë nga qulli i fryjnë dhe kosit.

Gjatë gjithë procesit, askush nuk guxoi të fusë hundët tek ajo që bëja unë, përfshirë edhe përgjëgjesin e Qendrës së Votimit, që vinte dhe interesohej se sa ishte totali i votave. Nga 1005 votues, rezultuan vetëm 2 vota të pavlefshme.

Me grupin e punës e kaluam shumë mirë. Më bëri shumë përshtypje një grua nga Bangladeshi, shumë e sjellshme, e edukuar dhe me një anglishte të pastër, e cila pasi pyeti secilin se çfare kafe donim, thirri bashkëshortin me telefon dhe na solli nga një kafe Tim Hortons. Nuk pranonte kurrsesi t'i jepnim pjesën tonë të kostos. “Nuk pranon burri,” - tha - “e kemi zakon ne që të qerasim”. M’u kujtuan shqiptarët. “Qënkeni si ne dhe ju,” - i thashë - “zihemi kush të paguajë”.

Pa e ndjerë nevojën të shkruaj detaje të tjerë më shumë, m’u kthye kujtesa prapa në vite, ndërsa isha përkthyes për vëzhguesit e OSBE, në KZZ (Komisioni Zonal Zgjedhor) të Belshit, ku bëhej numërimi i votave që vinin nga të gjitha qendrat e votimit. Mbaj mend që në një prej tavolinave, të gjithë numëruesit, pavarësisht se përfaqësonin parti të ndryshme, kishin të njëjtin mbiemër, atë të deputetit të zonës.

Kryetari i KZZ, një mesoburrë që nuk hiqte cigaren nga goja, u nevrikos shumë kur përfaqësuesi i OSBE kërkoi dy herë rinumërim të votave. Sigurisht isha unë ai që dallonte mashtrimin që bëhej në momentin kur deklarohej vota. Votat e partive të vogla i deklaronin si vota për partitë e mëdha.

Në një rast na thanë që kish patur sherr në një fshat. Shkuam dhe morëm vesh që kishin rrahur nënkryetarin e Qendrës së Votimit, i cili i përkiste PD, që nuk kishte shumicë në atë zonë. Kur hymë në atë qendër, nuk e harroj që nëpër të katër anët e sallës ishin ulur në karrige të paktën 25 vetë, që ishin anëtarë të komisionit, vëzhgues partiakë e ca të tjerë që nuk e mora vesh çfarë përfaqësoni dhe arsyen pse ndodheshin aty.

E pyetëm nënkryetarin nëse ka ndodhur diçka. Ai kishte një pjesë të fytyrës pranë syrit të nxirë. Kryetari i komisionit, ngjitur me të i thotë në shqip, pa iu dridhur qerpiku, madje duke pare në sy gjermanin e OSBE që bëri pyetjen: “Fol po deshe, por ta tregojmë ne se çdo i bëjmë familjes”. Nënkryetari iu përgjigj gjermanit të OSBE që asgjë s'kishte ndodhur në fshat dhe gjithçka ishte në rregull.

Më vlonte përbrenda zemërimi, por une isha aty si përkthyes dhe i tregova më vonë gjermanit komentin kërcënues të kryetarit. Ne e raportuam, por kush e di sa raste të tillë kishte?

Këto më erdhën në mendje teksa u ula të përshkruaj eksperiencën time në zgjedhjet provinciale të Ontarios. I them vetes sa larg kam shkuar...

©Endrit Mullisi