Ballkani i hapur dhe preshi alegorik i Vuçiçit - Nga Alfons Zeneli
Alfons Zeneli
Serbia po armatoset ethshëm dhe për këtë fakt alarmant kanë reaguar autoritete të rëndësishëm të politikës që nga Washingtoni e deri në Bruksel. Senatorë, kongesmenë, europarlamentarë, analistë e ekspertë ushtarakë etj. Nuk reagon vetëm qeveria e Tiranës. Arsenali ushtarak ruso kinez si dhe dislokimi i një armate të tërë të FSB dhe reparteve të tjerë të spiunazhit rus në Serbi përbëjnë alarm. Vetëm bufi, njëthundraku fabulik dhe njoni n'Surrel nuk e konsiderojnë një kërcënim të tillë.
Efektet e një Serbie të tillë janë provuar drejtpërdrejt në Mal të Zi e Maqedoni. Sepse pikërisht për të kryer veprimtari subversive është destinuar korpusi ushtarak dhe agjenturor rus në Ballkan. Vuçiç pat deklaruar publikisht para dhjetë viteve se "do ta rimarrim me diplomaci dhe ekonomi atë që humbëm me luftë". Edhe para pak ditësh u betua para popullit të vet se do luftojë për ta rimarrë Kosovën. Kurse në diskutimet për Ballkanin e Hapur flasin për perime, zarzavate dhe miell.
Vuçiç përmendi dhe preshin nominalisht. Mbase dhe serbët e dinë ngjyrimin alegorik. Do përfitojnë fermerët. Të gjithë fermerët dhe i gjithë populli është dakord me Ballkanin e Hapur, thotë njëri prej zarzavateve që Vuçiçi i kultivon në "serën" e vet në Surrel. Identik si shoku Shpati, kur në një qarkore publike dekllaronte i bindur se "i gjithë populli inë po punon me mish e me shpirt të bashkohet me Jugosllavinë motër". Sepse asokohësh borgjezia, revizionizmi, kapitalizmi dhe imperializmi perëndimor nuk na donin, na kishin halë në si. Si tani. Njëlloj. Evropa nuk na do. Ne kemi punën tonë. Kjo deklaratë u shqiptua fjalë për fjalë nga dy vëllezërit Vuçiç-Rama që në takimin e parë.
Evropa përkundrazi, na do. Por që të dy vëllezërit i katranosin vetë punët në mënyrë që Evropa të ketë vërejtje, që të mos bindet. Si shoku Shpati në vakt. U vetëizolua, e mbylli vendin hermetikisht nga çdo prurje perëndimore dhe pastaj e justifikonte ferrin që konstruktoi me "rrethimin e egër imperialisto revizionist". Asokohësh populli u atrofizua. E besoi marrëzinë dhe gjithë marrëzitë konseguente të psikopatit gjakatar.
Rezultatin e bashkëpunimit dhe aleancave me serbo-sllavët e dimë të gjithë. Këtë na e deklarojnë vetë edhe sot e kësaj dite. Shihni deklaratat e Vuçiçit. Rama anatemon Kosovën si plangprishëse e parajsës ballkanike të Vuçiçit. Atë Kosovë me mijëra të vdekur pa varr e të humbur për shkak të makinerisë ku Vuçiç ishte ingranazh me rëndësi.
Tani, sipas fermerit të Surrelit, Vuçiç nuk ka tjetër qëllim në jetë përpos të begatojë tregun shqiptar të fruta-perimeve dhe çdo mëngjes perëndie zgjohet me këtë ëndërr në sy. Pasi Vuçiç tashmë e ka të qartë se radarët e këtij tonit nuk perceptojnë asgjë tjetër përveç preshit që nominoi në fjalim.
©Alfons Zeneli