Java e Kosovës - Nga Xhevdet Nasufi

Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut
Globalizimi si tendencë dhe vlerë universale në asnjë komb dhe shtet nuk ka mbivaluar në raport me shtetin dhe kombin. Këtë nuk duhet ta bëjë as Rama, as Ali Ahmeti e as Abazoviçi. Kosova po e sfidon këtë ide të mbrapshtë dhe presion të panatyrshëm për Ballkanin e Hapur me të drejtë. Nuk kalohet lehtë mbi krimet e pagjykuara, mbi ideologjinë e okupimit, sovranitetin e denigruar të shtetit që s’po ndalet.
Java që mbyllëm, Kosovën e përforcoi në mision shtetëror dhe kombëtar, e ia përforcoi afirmimin ndërkombëtar.

Kurti pas aplikimit për anëtarësim në Keshillin e Europës, konfirmoi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian. Të dy aplikimet janë legjitimim për përkatësinë europiane të Kosovës si shtet dhe që të dy ndodhën siç duket, edhe me bekimin e Gjermanisë e koinciduan me vizitat e zyrtarëve të këtij vendi në Kosovë.
Ballkani i Hapur këtë javë u zhvesh në qëllimet e veta duke u qartësuar si projekt që nuk është në frymën e gjeostrategjisë amerikane, as opsion i Bashkimit Europian. Papërputhshmërinë me SHBA e konfirmoi Escobar në deklarimin audioviziv drejtuar pjesëmarrësve në Ohër, duke qartësuar se Ballkani i Hapur duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe me kauzë ekonominë.
Realisht Ballkani i Hapur nuk është gjithpërfshirës, por edhe kauza ekonomike është konfuze, e papërshtatshme dhe tejet e diskutueshme për konsistencë reale.

Po këtë javë, kancelari Scholz në Prishtinë dha dy mesazhe të fuqishme: Do të aktivizoj Proçesin e Berlinit në vjeshtë (pjesmarrës janë të gjithë vendet e Ballkanit) si parapërgatitje për integrim në BE për të gjithë vendet e Ballkanit. Kjo përfundimisht Ballkanin e Hapur e zhvesh nga ideja integruese euroatlantike.
Java që sapo lame, përkrah të gjithave, afirmoi fuqishëm idenë determinuese të BE nëpërmjet Kancelarit Scholz gjatë vizitës në Prishtinë me deklaraten racionale rreth qartësimit të dilemës integruese të Serbisë: Nuk mund të ketë pranim në Bashkimin Europian për vendet që nuk e njohin njëri-tjetrin. Ishte kjo mirënjohje për politikën e Kosovës si shtet dhe demokraci në funksion, ishte paralelisht edhe qartësi për Serbinë se njohja e Kosovës është kriter i padiskutueshëm si kriter pranimi.
©Xhevdet Nasufi




















