Politika shqiptare një operetë shurdhuese - Nga Enver Robelli
Paramendojeni çka do të ndodhte sot në Kosovë po të dilte një kryeministër i Kosovës dhe të thoshte se Serbisë nuk i duhet bërë presion për t’i vendosur sanksione Rusisë. Do ta shpallnin antiamerikan, antikosovar, antishqiptar, antiperëndimor, antikombëtar, anti...
Tash që këtë e tha kryeministri i Shqipërisë, heshtja është impozante. Nuk ka qëndrim pushteti, por nuk kanë qëndrim as partitë opozitare PDK, LDK, AAK. Pushteti nuk flet sepse ndërkohë është hidhëruar me kryeministrin në Tiranë, i cili dikur e pati quajtur VV-në “pasuri kombëtare”.
Opozita e Kosovës hesht sepse e konsideron aleat kryeministrin e Shqipërisë në betejën politike në Kosovë. Për shembull për LDK-në tani kryeministri në Tiranë është partner, ndërsa para disa viteve LDK pati dalë nga salla e Parlamentit të Kosovës e pakënaqur me fjalimin e kryeqeveritarit nga Tirana. Atëherë VV priste te dera e Kuvendit derisa të mbarojë himni i Kosovës, pastaj u fut në sallë për të dëgjuar fjalimin e kryeministrit nga Tirana, i cili tha solemnisht se Kosova dhe Shqipëria do të kenë një president të përbashkët.
Politika shqiptare është operetë shurdhuese.
©Enver Robelli





















