Blog

Xhaçka gjallon - Nga Ylli Dylgjeri

U bë e disata herë që zj. Xhaçka, herë me miqësi, herë me krushqi dhe herë me dashuri, shkel mbi të drejtat civile të publikut. Historiku i saj fillon si nuse me firmën rentiere “Gjallica”, e vazhdon të gjallojë edhe sot, po si nuse me shfrytezimin e bregdetit për turizëm nga bashkëshorti i saj strategjik.

Ministrja Xhaçka akuzohet se ka përfituar tokë në bregdet në emër të bashkëshortit të saj duke shfrytëzuar afrimitetin në qeveri me Kryeministrin, me të vellain e tij, e rrethin familjar që sot ka pushtet në PS.

Por sipas Ramës, bashkëshorti i Olta Xhaçkës e ka marrë me të drejtën që i takon me ligj pjesën e plazhit para pronës së tij. Rama nuk sheh asnjë arsye për këte "furtunë në gotë". Janë llafe të fukarallëkut mendor, thotë më tej ai.

Nderkohe që në fjalën e saj në krah të Ramës, Olta Xhaçka justifikohet e kërkon të hapë çadrat në bregdet duke na “hapur” njëherësh edhe barkun.

Në ndihmë te publikut, medias, e politikës, po rikujtoj Manualin e miratuar mbi konfliktin e interesave.

Çfarë është konflikti i interesa dhe ndalimet ligjore?

15 vjet më parë, me mbështetjen financiare të USAID, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) ka asistuar ILDKPKI në përgatitjen e Manualit Nr. 2 “MANUAL MBI PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESAVE NË PROKURIMET PUBLIKE”.

Në këtë dokument që është në fuqi në zbatim të ligjit përkatës dhe gjendet lehtësisht në faqen e Web-it të ILDKPKI, saktësisht në faqet 37-39 jepen disa sqarime thelbësore.

https://www.ildkpki.al/gloolsys/2018/12/manual-pki-nr.2-.pdf

Kështu sqarohet se cilët janë “personat e lidhur”, si dhe rastet e ndalimeve absolute, (“ndalim i natyrës absolute” i referohet ndalimeve që burojnë nga funksioni i zyrtarit, pikat 1, 2, dhe 6 të nenit 21 të ligjit PKI). Gjithashtu, aty sqarohet edhe se çfarë konsiderohet kontratë publike dhe cilët janë personat e lidhur me zyrtarin. “Personat e lidhur me zyrtarin janë bashkëshorti/ja, fëmijët në moshë madhore dhe prindërit e zyrtarit dhe bashkëshortit/es”.

Në vijim po citoj edhe përmbledhjen përkatëse që gjendet në faqen 39:

Në përfundim të analizës së mësipërme, mund të thuhet se elementët kryesorë të ndalimit të natyrës absolute janë:

1. Ky lloj ndalimi lidhet me funksionin e zyrtarit dhe zbatohet për kategorinë e zyrtarëve të institucioneve qëndrore të administratës publike;

2. Ndalimi është i një natyre absolute, për faktin se nuk lidhet me vendimmarrjen konkrete të zyrtarit në lidhjen e një kontrate publike, por lidhet vetëm me ushtrimin nga ana e tij të funksionit publik sipas kategorive të përshkruara më sipër;

3. Ndalimi absolut në lidhjen e kontratave për këto kategori zyrtarësh, shtrihet në të gjithë territorin e RSH, për të gjithë institucionet publike;

4. Kontrata publike konsiderohen prokurimi, ankandi, koncesioni dhe në këtë kuptim, zyrtarët e nivelit të lartë, ndaj të cilëve aplikohet ndalimi absolut në lidhjen e kontratave, nuk mund të përfitojnë në asnjë nga këto raste;

5. Ndalimet për zyrtarët e nivelit të lartë, në të njëjtën mënyrë dhe në po atë masë, aplikohen edhe për personat e lidhur me zyrtarin (bashkëshorti/ja, fëmijët madhorë dhe prindërit e zyrtarit dhe bashkëshortit/es. Këto përfundime janë të vlefshme për të gjitha kategoritë e zyrtarëve që trajtohen në këtë kapitull, pra për:

-zyrtarët e nivelit të lartë të institucioneve qëndrore;

-zyrtarët e zgjedhur dhe ata të nivelit të lartë të organeve të pushtetit vendor;

-zyrtarët, anëtarë të organeve të Autoriteteve Rregullatore;

-personat e lidhur me zyrtarët e kategorive të mësipërme, në kuptim të nenit 24 të ligjit PKI.

Kaq besoj mjafton për t’u qartesuar çdokush, pa qenë nevoja të citoj edhe Kodin Etik të miratuar e në fuqi.

©Ylli Dylgjeri