Blog

Çfarë i bashkon Sorosin, Grenellin dhe Ramën me Vuçiç? - Nga Enver Bytyçi

Enver Bytyçi

Richard Grenell gjatë një fjalimi në Universitetin e Beogradit u deklarua dje në tri pika sa i përket Kosovës: 1) Tha se pengesë për dialogun Kosovë-Serbi është qeveria Kurti dhe Bashkimi Europian; 2) Kërkoi që KFOR-i të largohet nga Kosova (s'ka çfarë ai bën më aty); 3) Rekomandoi që Serbisë të mos i kërkohet njohja e Kosovës (si kusht pët integrimin në BE). D.m.th. ish-shefi i madh i shërbimeve sekrete amerikane në administratën Trump dhe ish-negociatori midis Thaçit e Vuçiç për ndarjen e Kosovës, nuk ka hequr dorë nga qëllimet e tij. Me këtë deklaratë ai kërkon t'i hapë rrugën ose rikthimit të sovranitetit të Serbisë në Kosovë, ose ndarjes së saj. Dhe kur kërkon që KFOR-i të largohet nga Kosova, do të thotë se përpiqet t'ia lehtësojë Beogradit realizimin e këtij projekti: O me hatër, o me zor! O me bisedime e marrëveshje, ose me luftë!

Gjithmonë ambasadori Grenell ka qenë në këtë linjë. Por në këtë referim në Beograd ishte më konçiz, më i qartë, më i prerë, më i hapur. Jo si në kohët kur përgatiti projektin e marrëveshjes për shkëmbimin e territoreve dhe i nisi dy presidentët, Thaçi e Vuçiç, për nënshkrim në Uashington. Ndërkohë që pas dështimit thoshte se “nuk kam parë asnjë projekt të tillë”. Atëherë përpiqej të mashtronte. Ditën e djeshme nga Beogradi e hoqi maskën. Unë e konsideroj këtë një qasje pozitive të tij. Së paku të hiqen maskat. Jo si Edi Rama që 29 ditë e netë rri me Aleksandër Vuçiç e për t'i mashtruar shqiptarët ditën e 30-të e thotë një fjalë të mirë për Kosovën.

Po pse Grenell është kaq proserb? Sepse ai është edhe prorus. Sepse në filozofinë e tij politike SHBA duhet të bashkohet me Rusinë kundër Europës. Richard Grenell gjithë inatin e mllefin e ka me Bashkimin Europian dhe me Europën në përgjithësi. Historia e tij antieuropiane është shpalosur gjatë viteve që shërbeu si ambasador i SHBA në Gjermani. Ato vite ai mbështeti ekstremin neofashist për t'u konsoliduar. Mbështeti të gjitha forcat e ekstremit të djathtë e të majtë në Europë, me qëllim shpërbërjen e Bashkimit Europian. Ishte kjo një veprimtari në pajtim të plotë me doktrinën antieuropiane të Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin.

Ambasadori Grenell punoi me ngulm për forcimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi. Donte me çdo kusht që të rikthente politikat e vjetra të Luftës së Ftohtë dhe ta detyronte Europën të strukej diku në një qoshe nga frika e hijes së një lufte bërthamore. Kjo lidhje e tij ka shkuar aq larg, sa në rastin e sulmeve ushtarake të Kremlinit kundër Ukrainës të marrë anën e presidentit Putin.

Ambasadori Grenell ishte nxitësi i tërheqjes së trupave amerikane nga Gjermania dhe kërcënoi se do të tërhiqeshin edhe trupat amerikane nga Kosova gjatë periudhës së qeverisë Kurti 1. Nuk e di çfarë duhet më shumë për të kuptuar faktin se Richard Grenell është antieuropian dhe prorus. Duke qenë prorus, ai nuk mund të mos jetë edhe proserb. Si rregull, do të thosha se kjo aksiomë vlen edhe për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili është proserb shumë më tepër sesa i tillë është Grenell, ose së paku po aq sa ai.

Deklarata e Grenell në Beograd për të fajësuar Albin Kurtin dhe BE-në, për të arsyetuar të drejtën serbe mbi Kosovën dhe për të implementuar "këtë të drejtë" përmes largimit të KFOR-it nga Kosova, nuk është larg deklaratave të Edi Ramës në mbrojtje të Vuçiç. Kryeministri i Shqipërisë e merr gjithnjë në mbrojtje sivëllaun e tij në Beograd. E justifikon atë kur nuk i vë sanksione Rusisë, në solidarizim me SHBA dhe BE. Nëse dikush e ka parë një video të Aleksandër Dugin, i cili konsiderohet si truri i Vladimir Putin, kupton lehtë dhe qartë se Edi Rama përdor të njëjtën gjuhë në mbrojtje të presidentit të Serbisë dhe justifikimit të tij për qëndrimin prorus. Dugin dhe Edi Rama i referohen njëri-tjetrit kur është puna për të justifikuar qëndrimin serb ndaj Moskës në rastin e sulmeve të saj kundër Ukrainës. Të dy kërkojnë të lavdërojnë Beogradin pse nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë. Të dy kërkojnë mirëkuptim, duke përmendur traditën historike të marrëdhënieve Rusi-Serbi e kështu me radhë.

Ambasadori Grenell është në të njëjtën linjë. Por është interesant se si bashkohen ekstremet. Sepse mendohet se Goerge Soros dhe interesat e tij financiare janë ndërmjetës në marrëdhëniet e ngushta Rama-Vuçiç. E Grenelli i përket një administrate amerikane anti-Soros. Si është e mundur që të dy palët në kundërshti ekstreme me njëra-tjetrën mbështesin Serbinë dhe lidhjet e ngushta Rama-Vuçiq? Si është e mundur që Soros nga njëra anë është i shpallur si armik i Putin mbështet aleatin e presidentit rus në Ballkan, Serbinë?

Paraja, paraja zotëri. Gjithçka në këtë botë bëhet për para. Paraja i bashkon, por edhe i ndan njerëzit, në rastin konkret edhe ekstremet. Sorosi, Rama dhe Grenelli nuk bëjnë përjashtim. Dhe ku është paraja ikën me vrap e drejta. Duhet të jesh shumë i shpejtë për ta kapur atë.

©Enver Bytyçi