Ku po shkojmë? - Nga Milaim Nela
Mosprania e opozitës shqiptare në konferencën e parë të hapjes së negociatave për Shqipërinë është përtej një skandali jo vetëm për Kryeministrin hajgarexhi të Shqipërisë por edhe vetë zyrtarët e lartë të BE-së.
Poturexhiu u tall keqas jo vetëm me pjesëmarrësit e takimit por edhe me mbarë ndjekësit virtualë të Konferencës duke thënë se ai nuk e di kush është opozita shqiptare.
Me fjalë të tjera, ai iu tha zyrtarëve të BE-se se unë i kam larë duart me opozitën shqiptare, ajo thjesht nuk ekziston.
Ne shqiptarët e kemi lejuar këtë klloun me benevrekë të tallet me ne, por si e lejon udhëheqja e Bashkimit Europian një bejtexhi bajat të tallet me ta?
Si është e mundur?
Jo vetëm kaq por ai iu hodhi hi syve pa pikën e drojës, duke e paraqitur luftën në Ukrainë si një nga arësyet e vonesave të integrimit të Shqipërisë, kur në fakt të gjithë e dimë se bash kjo luftë ishte arësyeja e këtij hapi integrues (kuptohet nga dera e pasme) për arësye krejt gjeopolitike.
Shqipëria që nga viti 2013 ka bërë veç hapa pas në zhvillim dhe sot nuk është gjë tjetër veçse një shtet krejtësisht "rouge" dhe i kriminalizuar.
Mirë shqiptarët po ju burokratë të BE-së si ia lejoni këtë tallje?!!
Çfarë mesazhi u jepni ju zotërinj qytetarëve të vendeve tuaja dhe atyre shqiptarë me legjitimimin në terma praktikë të injorimit të opozitës!?
Nëse Shqipëria ka avancuar drejt standarteve të BE-se ndër vite ajo është thuajse meritë e plotë e asaj opozite të cilën Sulltan Surreli nuk e njeh dhe liderin e së cilës e konsideron të vdekur.
Pse nuk e pyetët Kryeministrin "lider global" pse drejtesia shqiptare nuk merret seriozisht me aferën multimilionëshe të incereratorëve, tentakulat e së cilës shkojnë nga Bashkia e Tiranës deri në zyren e tij?
Pse nuk e pyetët Kryeministrin se ku shkuan 49 arka "bananesh" që u zhduken dje sikur të kishin avulluar në kontenierin e anijes së ankoruar në portin e Durrësit?
A do ta merrni ndonjëherë seriozisht krimin në Shqipëri ju zotërinj të Europës?
Nëse po, kur?
A kjo është Europa e standarteve me të cilën doni t'i mashtroni shqiptarët?
Ku po shkojmë?
©Milaim Nela


















