Muhabete udhëtimi me masazhatoren e pasanikëve shqiptarë - Nga Jeta Dedja
- Nga: Jeta Dedja
Gjatë një udhëtimi më qëlloi të isha ulur pranë një shtetaseje joshqiptare (nuk dua të jap shumë të dhëna identifikuese) e cila punonte në Shqipëri si masazhatore. M’u duk interesante të fusja pak hundët në punën e saj. Kishim kohë 80 minuta për të biseduar.
-Kujt i bën masazhe në Tiranë?
Atyre që kanë para.
-Çfarë janë ata që kanë para?
Burra dhe gra të pushtetshëm.
-Si e kupton që janë të pushtetshëm?
Nga shtëpitë luksoze.
-Po tjetër?
Nga komunikimi.
-Ç’do të thotë kjo?
-Epo ata që janë të pushtetshëm nuk janë shumë të sjellshëm.
-Si e shprehin mungesën e sjelljes së mirë?
Duke mos më respektuar.
-Ma shpjego pak këtë…
Më trajtojnë sikur më kanë blerë mua dhe jo shërbimin tim.
-Ç’do të thotë kjo?
Kërkojnë më shumë se masazh. Seks.
-Si u përgjigjesh ti në këto raste?
U bëj masazh të fortë që të mos i ndjejnë muskujt gjatë gjithë ditës.
-Hahaha…dhe ata si reagojnë?
Ata nuk duan të duken sikur u dhemb.
-Çfarë të bën të mendosh që do të kërkojnë shërbimin tënd përsëri?
Sepse jam e huaj dhe të pasurit në Shqipëri preferojnë punonjës të huaj.
-Si ndihesh në shtëpitë e tyre?
Shpesh herë e frikësuar.
-Çfarë të frikëson më shumë?
Fakti që jam e vetme në një vend të huaj dhe askujt nuk do t’i binte në sy mungesa ime.
-Kjo është shumë trishtuese dhe e frikshme. Çfarë të bën të mendosh për mungesën tënde?
Nuk e di, është ndjesi.
-Ke menduar të mos kthehesh më në Shqipëri?
Nuk është një opsion realist për momentin.
-Si të gjejnë këta të pasurit ty?
Flasin me njëri-tjetrin. Me rekomandime. Më marrin në telefon, caktojmë orarin dhe më dërgojnë taksinë.
-Ku janë shtëpitë e tyre?
Në periferitë e Tiranës.
-Më thua dot një objekt të njohur që ndodhet pranë tyre?
Një prej tyre është TEG.
-A ka raste kur të kërkojnë për masazhe edhe në vende të tjera përveç shtëpisë?
Po, në hotele të qendrës.
-Ua di profesionet klientëve të tu?
Disave po.
-Pse vetëm disave?
Se unë nuk i pyes dhe ata nuk më tregojnë.
-Po emrat ua di?
Po.
-Nuk ke patur kuriozitet t’i kërkosh në internet për të mësuar kush janë?
Disave po.
-Pse disave po dhe disave jo ?
Varet nga sjelljet e tyre. Ata që ngacmojnë dua të di kush janë e të di si mund të reagoj herë tjetër. Ata që sillen mirë, nuk më intereson kush janë, e rëndësishme është t'i kem klientë, dhe kur bëhen klientë të regullt, do e mësoj se kush janë e çfarë bëjnë.
-Çfarë pune bëjnë ata që ua di profesionet?
Biznesmenë.
-Si të paguajnë?
Me para në dorë.
-Të japin më shumë se ç’kërkon?
Në të shumtën e rasteve po.
-Ka patur ndonjë që nuk të ka paguar?
Po.
-Çfarë ke bërë?
I kam treguar bosit më të madh dhe e ka zgjidhur.
-Kush është bosi i madh?
Nuk ta them dot. Është sekret profesional ruajtja e identiteteve të klientëve të mi.
-Si sillet ky bosi me ty ?
I vetmi që sillet korrekt, por gruaja është pak ndryshe nga ai.
-Si është gruaja ?
Nuk e përcaktoj dot. Ndryshon sjelljet vazhdimisht. Më bën konfuze.
-Si të duken klientet gra në raport me burrat ?
Gratë janë të mira, por të trishtuara dhe shumë kritike. Burrat janë të pasjellshëm, të ashpër, të dhunshëm.
-Ke patur ndonjëherë ndjenja për ndonjë klient ?
As në ëndërr nuk guxoj ta fus si mendim.
-Je e lidhur me ndonjë shqiptar ?
Jooo, kurrë.
-Pse ?
Se do më pengonte në punë.
-Ku e di ti?
Më thonë klientët që po të kem të dashur shqiptar, nuk do të me lejojë të bëj këtë punë.
-Është gjë e keqe kjo?
Hmmm nuk e di, mbase.
-Domethënë je e kënaqur me punën që bën dhe nuk do doje ta lije për hir të një djali shqiptar?
Jam e kënaqur me të ardhurat që siguroj nga puna, të cilat do të më ndihmojnë për të ardhmen.
-Si e pikturon veten në të ardhmen?
Me biznesin tim.
-Në të njëjtën fushë?
Këtë di të bëj më mirë.
-Faleminderit që ndave me mua pjesë nga jeta jote. Të vjen keq sikur ta publikoj (të reduktuar) bisedën tonë?
Ok, mjafton të mos kuptohet që jam unë.
-Ka të tjera të huaja që punojnë si ty?
Po, ka disa.
-Dakord, ky fakt e bën më të lehtë publikimin. Faleminderit dhe suksese në planet e të ardhmes.
Korrik, 2022
©JetaDedja/Flasshqip


















