Blog

Shkaku i vërtetë i “non grata” për Berishën - Nga Enver Bytyçi

Enver Bytyçi

Mbretëria e Bashkuar ka marrë një vendim në solidaritet me aleatin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të shpallur “non grata” Sali Berishën. Vendimi britanik u mor pak me vonesë, pas 7 korrikut. Pas kësaj date sondazhet zbuluan faktin që Sali Berishën e mbështesin 600 mijë shqiptarë. Prandaj erdhi ky lloj sanksionimi. Kjo do të thotë se bota perëndimore nuk dëshiron rikthimin e Berishës në pushtet.

Të gjithë ne pyesim pse ndodh kjo? Duam të dimë se si është e mundur të sanksionohet një ish-kryeministër i larguar prej gati dhjetë vitesh nga pushteti. Të duket absurd fakti pse shpallet “non grata” Sali Berisha dhe jo Edi Rama, kur dihet se Rama mban lidhje me organizatat kriminale dhe është thellësisht i korruptuar. Këtë e thonë raportet ndërkombëtare të korrupsionit dhe nivelit të tij në Shqipëri në mënyrë të krahasuar.

Një raport i fundit e rendit Shqiperine në vendet me pakësimin më të madh të popullsisë në botë. Prej kujt ikin qytetarët shqiptarë? Prej satanait Edi Rama. Por SHBA dhe Britania e Madhe po na e paraqesin si “satana” Sali Berishën. Nëse krahasojmë skandalet që kanë ndodhur në të dy periudhat, atë të Sali Berishës dhe të Edi Ramës, nëse shohim raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, atëherë rezulton se paratë publike janë shpërdoruar njëqind fish me shumë me Edi Ramën, sesa me Sali Berishën. Nëse numërojmë tenderat sekretë, me të cilët bëhet korrupsioni, atëherë del se raporti është 1:100 dhe anon nga Edi Rama. Megjithatë sanksionohet Sali Berisha.

Njerëzit me logjikë bëjnë një analizë racionale. Çfarë më thotë mua analiza?

Së pari, ta kesh mirë me aleatët, qofshin këta dhe perëndimorë, nuk duhet të jesh patriot. Është e ndaluar që vendet e vogla, sidomos që ne shqiptarët të prodhojmë patriotë. Kjo shihet prej tyre si barut i thatë në zjarrin e konfliktit ballkanik. SHBA, Britania e Madhe e ndoshta edhe ndonjë tjetër, e kanë më të lehtë të detyrojnë shqiptarët të shesin atdheun, sesa serbët të pranojnë realitetet ballkanike të krijuara pas 10 qershorit 1999. Është si kur godet një gozhdë në beton e nuk e çon çekiçi. Ndërkombëtarët përpiqen ta ngulin gozhden në kokën e Vuçiçit, por gozhda nuk ecën. Nuk ecën, sepse të gjithë politikanët janë bashkë kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Atëherë e ndërrojnë vendin e gozhdës dhe e ngulin lehtë në kokën e Edi Ramës. Ky i përçan shqiptarët me mjeshtri. Dhe Sali Berisha “me kokë të fortë” ndëshkohet me “non grata”.

Së dyti, në simbiozë me atë çfarë thashë më lart, ndërkombëtarët mbështesin politikanë të formatit të Ramës, të cilët në këmbim të mbajtjes së pushtetit bashkëpunojnë deri te opsionet e cënimit të sovranitetit e integritetit të territorit shtetëror e kombëtar. Mjafton që kjo të jetë interes i ndërkombëtarëve. Është e vërtetë se edhe Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk kanë marrëdhënie aq të ngushta me administratën amerikane e me atë britanike. Sepse janë beton dhe gozhda nuk ecën në trurin e tyre. Sali Berisha është simbolika e kësaj kategorie të politikanëve patriotë shqiptarë. Nëse bie Berisha, atëherë do të bien një nga një të gjitha kullat e tjera të qëndresës.

Së treti, unë i besoj faktit se në vendimmarrje ka ndikim Sorosi dhe organizata të tjera liberale e globaliste. Këto nuk e duan sovranitetin shtetëror, sepse kjo i pengon në realizimin e interesave për ta sunduar botën në mënyrën se si duan më të fuqishmit. Prandaj duhen në pushtet tradhtarët, jo aleatët e partnerët.

Po ju jap një shembull: Amerikanët i kërkuan Berishës të pranojë ujgurët e Guantanamos dhe ai mori disa, më duket se katër prej tyre. Por aty ishin dhjetëra ujgurë. Berisha nuk i pranoi të gjithë, sepse në këtë rast Shqipëria do bëhej tabelë qitje e terrorizmit. Pranoi katër për solidaritet me SHBA, në shenjë miqësie. Po ashtu pranoi 200 muxhahidinë iranianë të opozitës iraniane. Por nuk i pranoi të gjithë, që gjithsej ishin 3000.

Më pas Edi Rama i mori edhe ata 2800 të tjerët. Berisha mori 200 në shenjë respekti për Amerikën, për t’i thënë “po ne jemi aleatë”, por nuk riskoi interesat e vendit të tij. Rama nuk e ka problem as sovranitetin e Shqipërisë, as jetën e shqiptarëve. Pse duhet ta ketë këtë problem dikush tjetër, kushdo qoftë ai, edhe aleatët e Shqipërisë?

Për këte arsye sanksionohet Berisha e mbështetet Rama. Ky i fundit është gati të japë gjithçka në funksion të pushtetit personal. Ndaj dhe atdheu është në rrezik. Ky regjim duhet rrëzuar një orë e më pare!

©Enver Bytyçi