Lista e zezë dhe pikepyetjet e interesit nacional të Mbretërisë së Bashkuar - Nga Milaim Nela
Pse ta fsheh, vendimi i Home Office për futjen në listën e personave që iu ndalohet hyrja në Britaninë e Madhe të Sali Berishës jo vetëm më ka surprizuar, por më ka shokuar.
Nuk e besoja kurrë që një nga vendet më seriozë dhe më të pavarur në botë të marrë një vendim, që në rastin më të mirë është joproporcional (proporcionalitetin e përdori ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë në një intervistë për TV Klan).
Unë nuk e di dhe ashtu si ju, nuk e kam parë tekstin e arësyetimit të vendimit të Ministrisë së Brendshme Britanike, por duke parë pikat që bëri publike Sali Berisha, ky vendim mu duk absurd dhe teksti (nëse është ashtu siç thotë Berisha dhe nuk kam arësye ta vë në dyshim) lë shumë për të dëshiruar.
Duke qenë edhe qytetar britanik ndjehem keq kur shoh që qeveria e vendit ku unë jetoj dhe paguaj taksat akuzon për lidhje me grupet kriminale Sali Berishën, njeriun që marrëdhëniet mes dy vendeve i ka afruar më shumë se çdo lider shqiptar.
Sapo pashë lajmin më dolën para syve pamjet e Damian Gjiknurit në një vizitë të kohëve të fundit në Britaninë e Madhe ku përpiqej të bindte çunat e Londrës të sillnin paratë e paligjshme në Shqipëri.
Sapo pashë lajmin më doli para syve Alastair Campbell duke bërë avokatinë dhe pagëzuar “Rilindjen” me ngjyrat e Burnley-it.
Sapo pashë lajmin mu përzie Bankers Petrolium dhe Sheri Bler.
Sapo pashë lajmin mu kujtua Toni Bler me Sokol Ballën dhe më lindi pyetja sa janë faturat e qeverise shqiptare per Toni&Sheri Bler?
Nëse qeveria shqiptare nuk ka paguar për lobim nga këta persona nga kush janë paguar dhe sa?
A ka aksione Sheri Bler apo ndonje kompani e lidhur me të në pasuritë kombëtare të Shqipërisë?
Përderisa vendimi u bë publik nga Sali Berisha, Sekretarja Preti Patel e ka detyrim moral dhe publik të bëjë publik arsyet e këtij vendimi.
Ajo duhet t’u japë përgjigje disa pyetjeve:
1. A ka patur lobim për këtë vendim dhe nëse po kush ka lobuar?
2. A ka patur presion dhe lobim nga diplomacia amerikane për këtë vendim dhe nëse po çfarë do të thotë kjo për sovranitetin e një nga vendeve më të fuqishme të botës siç është Britania e Madhe?
3. Nëse Britania e Madhe paska patur informacion për korrupsion domethënës nga Sali Berisha pse iu deshën 9 vjet pasi ai është larguar nga pushteti të marrë një vendim tē tillë?
4. A ka të dhëna dikasteri që Zj. Patel drejton se sa shqiptarë kanë kërkuar azil në Britaninë e Madhe nga viti 2013-2021, krahasuar me 2005-2013 kur në pushtet ishte Sali Berisha?
5. Sa shqiptarë janë dënuar për drogë dhe trafikim qeniesh njerëzore në Mbretërinë e Bashkuar në vitet 2013-2021 krahasuar me vitet 2005-2013?
6. A ka informacion Mbretëria e Bashkuar për aferat galopante korruptive të qeverisë aktuale shqiptare siç janë incereratorët, apo afera e Portit të Durrësit?
7. Si një vend që ruan me fanatizëm trashëgiminë e vet kulturore, a ka Mbretëria e Bashkuar informacion për prishjen në mënyrē talebaneske në ora 04:30 të mengjesit, të të vetmit Teatër Kombëtar kur aktorët ishin akoma brenda dhe kjo në kulmin e pandemisë COVID-19?
8. A ka informacion Mbretëria e Bashkuar për përdorimin kriminal të të dhënave personale të shqiptarëve nga partia-shtet në zgjedhjet e kaluara kombëtare?
9. A ka të dhëna Mbretëria e Bashkuar që ministra që janë kapur me zë e figurë në aktivitet kriminal të vjedhjes dhe manipulimit të zgjedhjeve si Damian Gjiknuri vijnë lirshëm në Britaninë e Madhe?
10. Cili është interesi nacional i Britanisë së Madhe të godasë opozitën shqiptare dhe by deafult të mbajë anën e qeverisjes më të korruptuar që kanë patur shqiptarët që nga viti 1912?
11. A ka të dhëna Home Office përmes ambasadës së saj në Tiranë se sa shqiptarë janë detyruar ta braktisin Shqipërinë nga viti 2013?
12. A ka të dhëna qeveria Britanike sa është rritur borxhi kombëtar i Shqipërisë nga viti 2013 e këtej?
13. A ka të dhëna qeveria Britanike në çfarë derexhe është liria e medias dhe me çfarë parash mbahet shumica e medias aktuale ne Shqipëri?
14. A ka të dhëna qeveria britanike se në vitin 2015 në Shqipëri është mbyllur në mënyrë të paligjshme një televizon si Agon Channel vetëm se nuk kontrollohej dot nga qeveria dhe taksapaguesit shqiptarë po paguajnë sot 140 milionë Euro gjoba?
15. A kanë të dhëna agjencitë e Inteligjencës së Mbretërisë së Bashkuar se me çfarë parash po bëhet kullëzimi dhe betonizimi i paprecedentë i kryeqytetit shqiptar?
16. A do ti bëjë publike Britania e Madhe pronat dhe bizneset e blera në këtë vend nga politikanë shqiptarë apo njerëz të lidhur me ta?
17. A ka të dhëna qeveria e Mbretërisë së Bashkuar se nga dje 100 % e pushtetit në Shqiperi kontrollohet nga një parti... në fakt vetëm nga një klan siç është ai i “Rilindjes”?
Ka edhe shumë pyetje te tjera...
Në emër të transparencës dhe proporcionalitetit Sekretarja Preti Patel e ka detyrim publik të bëjë publike të gjitha të dhënat dhe dëshmitë që lidhen me Sali Berishën dhe t’i arësyetojë ato.
Ne si taksapagues dhe komunitet lidhës mes dy vendeve, Britanisë se Madhe dhe Shqipërisë, kemi të drejtë të informohemi rreth vendimeve që kanë një impakt të drejtpërdrejtë tek ne.
Po presim. Faleminderit.
©Milaim Nela





















