Blog

Të shesësh sovranizmin për nacionalizëm - Nga Dritan Goxhaj

Para dy ditësh Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu drejtua serbëve në Kosovë me një video-mesazh specifik: “Nuk duam që këtë veprim tonin ta kuptoni ndryshe, përveç si përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave, të drejtave tuaja, si nënshtetas të Republikës së Kosovës. Obligimi ynë është që të mbrojmë të drejtat tuaja nga veprimet diskriminuese të cilat siç janë kërcënim ndaj shtetit, janë kërcënime ndaj gjithë neve, si shtetas të tij”.

Me anë të këtij mesazhi mundohej t’iu shpjegonte atyre veprimin e qeverisë së Kosovës që ka të bëjë me reciprocitetin e letërnjoftimeve dhe për regjistrimin e automjeteve me targa të Kosovës. Ky veprim i qeverisë u prit me protesta nga ana e sërbëve të cilët sërish si herën e parë bllokuan rrugët që të çojnë në drejtim të dy pikave kufitare me Serbinë.

Ajo që të çudit është fakti se ky vendim i qeverisë së Kosovës u mor në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Edhe pse e kishte një precedent të mëparshëm, sërish qeveria dështoi totalisht në implementimin e sigurisë në gjithë territorin e Kosovës. Si është e mundur që në këtë mbledhje nuk u morën masa paraprake mbi një reagim të tillë të mundshëm të serbëve, të ndodhur identik më parë?

E gjitha kjo të krijon idenë se Kurtit kjo situatë i ka interesuar, pasi ai po mundohet që t’iu shesë shqiptarëve sovranizmin për nacionalizëm. Atij i intereson që me anë të kësaj situate të shfaqet tek ndërkombëtarët perendimorë si një person i interesuar vetëm për forcimin e shtetit të Kosovës dhe se ai nuk ka lidhje me Albinin e Vet-Vendosjes para se të vinte në pushtet. Pasi pjesa më e madhe njerëzve, jo vetëm që e ngatërrojnë sovranizmin me nacionalizmin, por edhe i konsiderojnë ata si sinonime të njëri-tjetrit.

Ndërkohë që sovranizmi është një nocion modern i autoritetit politik dhe që nënkupton ushtrimin e autoritetit suprem të shtetit brënda një territori. Përbërësi kryesor i këtij sovraniteti është territorialiteti. Ky territorialitet përcakton edhe anëtarët e këtij komunitetit që jetojnë brënda këtyre kufijve të këtij territori dhe kjo i jep një rëndësi territorialitetit dhe sovranitetit në veçanti, pasi anëtarët e këtij komunitetit, të këtij territori nuk korrespondojnë me identitetin e tyre/përkatësinë kombëtare. E për t’a bërë edhe më të shitshëm te shqiptarët sovranitetin për nacionalizëm, ai vendos të dërgojë më pas forcat speciale të Policisë së Kosovës në drejtim të këtyre pikave kufitare, rrugët e te cilave ishin bllokuar nga pjestarë të komunitetit serb në Kosovë.

Pra ju ofron shqiptarëve një shfaqje tipike nacionalizmi, se gjoja ky është i gatshëm ta mbrojë Kosovën edhe me forcën e armëve, pasi e di që të tilla show përbëjnë spektaklin e preferuar të shumicës së komunitetit shqiptar në Kosovë. Por ama, përveç që ka dështuar ta parandalojë këtë veprim të parashikuar dhe të ndodhur më parë nga serbët, ai gabon sërish me këtë show, pasi në video mesazhin e tij të cituar në fillim të këtij shkrimi ai thotë: “Obligimi ynë është që të mbrojmë të drejtat tuaja nga veprimet diskriminuese të cilat janë kërcënim ndaj shtetit”.

Për mbrojtjen e shtetit nuk është policia. Ajo është për vendosjen e rendit dhe qetësisë publike. Për mbrojtjen e shtetit dhe të sovraniteti është ushtria, por duke qënë se Kosova nuk posedon një ushtri por thjesht një Forcë të Sigurisë, atëherë Kurti në këtë rast ose do të duhej të angazhonte këtë force, ose do të duhej t’i drejtohej KFOR-it për të mbrojtur shtetin, të cilin thotë se është nën kërcënim.

E di që shumë nga ju do mendoni e do thoni po serbët nuk paskan faj, po Serbia e Vuçiçi? Me ta nuk merrem fare, pasi Vuçiçi vazhdon ndaj Kosovës të njëjtën retorikë që ka pasur kur ushtronte detyrën e ministrit të Informacionit në qeverinë e Millosheviçit. Ai që atëherë vazhdon e përsërit të njëjtin slogan “Kosova nuk do fitojë dot me Serbinë”, edhe pse Serbia e humbi luftën në Kosovë.

Pra ajo që më shqetëson nuk është Serbia e Vuçiçit me qëndrimet e saj, por veprimet e Kurtit, i cili, njëkohësisht dëshiron të veprojë edhe si sovranist-populist, por edhe si Vet-vendosës. Pasi ndërmerr veprime që e di shumë mirë që do të sjellin përshkallëzime politike të situatës, të cilat jo vetëm që do të cënojnë çdo tentativë qoftë të BE dhe Amerikës për një dialog të mundshëm dhe një përfundim të këtij kalvari dialogjesh pa lidhje, por mund të sjellin edhe humbje jetësh në radhët e vetë Policisë së Kosovës. Polici të cilën Kurti me veprimin e tij jo vetëm që e rrezikoi, por edhe e poshtëroi. Pasi kjo forcë jo vetëm që nuk mundi të zhbllokonte rrugët e bllokuara nga serbët, por ai u tërhoq nga vendimi i tij pas një deklarate të Ambasadorit amerikan në Kosovë.

Nuk e di, Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës me votat e shqiptarëve apo të amerikanëve? Ndaj Kurti në rast se do të kishte pasur në mendje dhe qëllim të vetin realisht sovranizmin e Kosovës do të duhej që më parë të konsultohej dhe të konsultohet me forcat ndërkombëtare që ndodhen në Kosovë, përkatësisht me KFOR-in për veprime të tilla si dhe me zyrtarët e huaj të cilët ai i dëgjon, e mos të japë këtë spektakël kaq poshtërues për qytetarët e Kosovës. Ky një herë hyn si cub, e pastaj tërhiqet kur i tërheqin veshin të huajt.  Dhe tërheqjen e shet si fitore, se serbët hoqën barrikadat nga rruga, barrikada që e kanë treguar se mund t’i vënë sa herë duan ose iu bën thirrje Beogradi.

Në rast se Kurti këtë çështje të targave dhe dokumentave e sheh realisht si një çështje të sigurisë së shtetit, atëherë ai do të duhej dhe duhet ta adresojë atë specifikisht në një raund të ri dialogu, qoftë edhe të iniciuar prej tij, pasi siguria e shtetit është më e madhe se krenaria vetjake. Dhe duke qënë se të gjithë këtë veprim e shet si reciprocitet, atëherë do bënte mirë që në këtë kuadër të ndërpriste pagesat e energjisë elektrike për sërbët e Veriut të Kosovës që edhe ngrenë barrikada dhe e cënojnë sovranitetin e kësaj republike që ua paguan rrymën.

Në rast se sërish edhe në shtator do gjendemi në të njëjtën pozitë, ku sërbët do barrikadohen dhe pastaj do reagojë qeveria, atëherë të jeni të bindur se Kurti është më i interesuar për të shitur nacionalizëm te shqiptarët, e sovranizëm të të huajt. Dhe të jeni të bindur se edhe Serbisë më shumë i intereson një sovranist në Kosovë sesa një nacionalist i vërtetë, pasi ky i fundit ua prish atyre gjithë planet e Ҫubrilloviçëve dhe iu rrezikon edhe Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, të cilat Kosova i ka shitur që në momentin që firmosi Rambujenë.

©Dritan Goxhaj