Blog

Shteti të vret e nuk të lë as të qash - Nga Arben Vata

Në botë ndodhin këto gjëra, por qeveria kërkon falje, ndëshkon dikasteret përgjegjëse dhe nuk sillet si harbute. Vendosja e fotos së vogëlushes 7 vjeçare, të cilën e përplasi për vdekje polici me skaf në bregun e detit në Himarë nuk është etike. Pavarësisht se për këtë element mund të ketë mendime të ndryshme, e palogjikshme do të ishte që opinioni publik dhe politika të heshtnin për këtë ngjarje, për hatër të asaj që quhet Kodi i vdekjes. Thënë këtë, është i mirëkuptueshëm reagimi i fortë dhe i ndjeshëm i shoqërisë, por edhe i politikës.

Kur qeveria, strukturat e saj, disa herë me radhë brenda një kohe të shkurtër, në vend që ta ruajnë e sigurojnë jetën e qytetarit, përkundrazi njerëzit e saj bëhen kërcënues apo vrasës direkt të njerëzve, atëherë, pse u dashka thënë “mos bëni politikë me fatkeqësinë e tjetrit”?

Si nuk mund të jetë reagimi publik i drejtuar në drejtim të qeverisë, kur kreu i saj nuk ruan etikën por quan kafshëror reagimin për këtë masakër me protagonist një zyrtar të shtetit?

Autori i këtij krimi është subjekt i drejtësisë. Qeveria është ajo me të cilën duhet të kenë punë qytetarët, pasi atë e paguajnë me taksat e tyre për t'iu siguruar jetën nëpërmjet punonjësve të tyre.

Tek ne ndodh e kundërta, pasi qeveria jo vetëm nuk të ruan, por përfaqësues të saj ta marrin jetën e mundësisht nuk të lenë as të qash. Kurse kryeministri të quan kafshë sepse reagon duke kërkuar mbrojtje.

©Arben Vata

Tagged under Arben Vata Flasshqip.ca