Lehtësia e padurueshme e anonimatit - Nga Elona Caslli

Elona Caslli
Profilet fallco apo faqet me nofka të caktuara krijohen pasi anonimati të jep lehtësinë e të qënit askushi.
Duke qënë askushi, ti mund të lëvdosh ose shash këdo, pasi ke komoditetin e të qenit askushi. Nuk ke një fytyrë të shfaqur, nuk ke një emër dhe mbiemër, pra je thjesht askushi dhe sikur e gjithë bota të të kundërshtojë, ti del i fituar, pasi je askushi dhe nuk ke ngritur asnjë marrëdhënie njerëzore me askënd dhe nuk të njeh askush.
Rrjeti i profileve fallco në Fejsbuk, ose ata që quhen ndryshe patronazhistë, nuk janë gjë tjetër veçse rrjeti i dikurshëm i Sigurimit të Shtetit. Njësoj si me rrjetin e Sigurimit të Shtetit që kishin nga një nofkë, edhe patronazhistët kanë nofkën e tyre.
Përmes komoditetit të anonimatit ky rrjet minjsh bodrumesh që qelben në mendim, sulen si ushtri në një artikull ku theksohet një skandal i qeverisë.
I njeh që nga gjuha që përdorin. Fyerjen e kanë argument dhe paditurinë e tyre krenari.
Ndryshe ndodh me njerëz që kanë profil real. Një njeri që ka një profil real i del zot fjalës dhe qëndrimit të tij, cilido qoftë ai. Përballet me zë dhe me figurë me një kundërshti të caktuar.
Anonimati është streha e qenieve inferiore që ushqehet me thërrimet që u jep kryetari i bashkisë dhe kryeministri. Të paaftë për të bërë asgjë në jetë, veç spiunllëkut, dalin nga profili në profil, për t'i dhënë sadopak jetë këtij sistemi të kalbur rilindas.
Post Scriptum: Mos harro! Rrjeti i patronazhistëve digjitalë paguhet nga taksat tona.
©Elona Caslli