Blog

Jemi të gjithë “Non grata” - Nga Ylli Dylgjeri

Shqiptarët sot janë më të shtypur se kurrë më parë në këto 30 vite. Liria është dhunuar nga një bandë qeveritarësh, oligarkësh, analistësh të blerë, kriminelësh, dhe ndërkombëtarësh që vendosin për vendin.

Në një takim me shoqerinë civile iu shpreha Dr. Berishës se ne jemi të gjithë “Non grata”. Po shpjegohem në këto radhë pse ne jemi të gjithë “Non grata”.

Sepse po vidhemi çdo ditë dhe nuk po marrim drejtësi. Dy vite ka SPAK që po merret me hetimin e inceneratorëve dhe asnjë mbyllje e hetimeve dhe dënim i autorëve. Ndërkohë, vijojnë pagesat për sipermarrësit. Autorët që sot janë në qeli, janë aq të qetë aty sa po mendojnë dhe për t’i vazhduar bizneset.

Kjo është skema gjigante e grabitjes së buxhetit me ligj e xhirim në llogari “ditën për diell”.

Gjykatat kanë stopuar. Apeli prej 4 vitesh nuk gjykon çështjet civile. Edhe nëse nuk je shpallur “Non grata” për të shkuar në SHBA, nuk ke mundësi financiare të udhëtosh. E ku është ndryshimi me Dr. Berishën që i ka mundësite financiare, por nuk shkon nga shpallja “Non grata” në SHBA e Londër?

Rinia ka marrë me revan riskun e Perëndimit në pritje të konkurimeve për vende pune. Çmimet janë rritur, euro bie çdo ditë. Tirana është bërë e pabanueshme. Pallate shumëkatëshe na morën frymën, plehrat pas pallateve po ashtu, lypsat janë prezent në tavolinat e kafeneve, vrasjet e aksidentet po ashtu.

Ndërkohe oligarkët nuk prononcohen. Vazhdojnë të tenderojnë, të ndajnë fitimet me politikën, jetojnë jashtë qytetit në fshatra turistikë bashke me pronarët e mediave okulte. Asnjë prej tyre nuk bzan, vetëm shtojnë pasurinë...

Kjo ështe liri e dhunuar, e cunguar e mohuar. Atëherë ç’presim më?

Liria nuk është dhënë kurrë vullnetarisht prej shtypësve. Ajo duhet të kërkohet nga të shtypurit, na mëson Martin Luther King.

©Ylli Dylgjeri