Etërit shpirtërorë - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla
Çdo shoqëri, në çdo vend dhe në çdo kohë, që të ekzistojë e përparojë, ka nevojë të ketë “Etërit” shpirtërorë të saj. Janë ata, që me punën, por veçanërisht me sjelljen dhe qendrimet e tyre, bëhen udhërefyes dhe misionarë të kombit të tyre. Të tillë kemi patur edhe ne shqiptarët në të kaluarën tonë, por fatkeqësisht na kanë munguar gjatë komunizmit dhe ende na mungojnë sot, kur kemi aq shumë nevojë për ta.
Fillesat e një strukture institucionale për përpunimin dhe propagandimin e mendimit shkencor dhe kulturor shqiptar i kemi nga 8 prilli 1940, kur Sekretari i Përgjithshëm i Kryesisë së Këshillit të Mininistrave, Terenc Toçi, miratoi krijimin e Fondacionit “Skanderbeg” si dhe statutin e Institutit të Studimeve Shqiptare. Sipas këtij statuti, Instituti i Studimeve Shqiptare kishte për qëllim t'i jepte hov e të bashkërendonte lëvizjen intelektuale shqiptare në fushën e shkencës, të letrave dhe arteve. Të përkujdesej për pasurimin e kulturës kombëtare, duke marrë si shembull kombet e përparuara të Europës, por duke ruajtur njëkohësisht dhe karakterin kombëtar sipas mendësive dhe traditave më të mira kombëtare.
Instituti mbante në gjirin e vet 48 anëtarë që formonin edhe Këshillin e Përgjithshëm, me sekretar të përgjithshëm At Zef Valentinin. Kryetar i Institutit u zgjodh Ernest Koliqi. Anëtarët e Institutit ishin figura të shquara të inteligjencës shqiptare te kohes, si Eqerem Çabej, Aleksandër Xhuvani, At Anton Harapi, Karl Gurakuqi, Lasgush Poradeci, Namik Resuli, At Zef Valentini, Dom Lazër Shantoja, Filip Fishta, At Justin Rrota, Ilo M. Qafëzezi, Anton Paluca, Xhevat Korça, Ekrem Vlora, Ernest Koliqi, Sotir Kolea, Vangjel Koça, Dhimitër Berati etj. Godina e Institutit ishte ajo që u rrafshua tani së fundi, së bashku me Teatrin Kombëtar, për t'i hapur vendin ndërtimit të një kulle të radhës.
Kanë kaluar nga ajo kohë mbi 80 vjet dhe ende sot ne nuk kemi personalitete të përmasave të tilla për nga vlerat shkencore dhe kulturore, por sidomos për nga fuqia morale. Trashegimia komuniste na la pseudointelektualë, sahanlëpirës të pushtetit, deformues të së vërtetës, tejet të politizuar dhe të indoktrinuar. Demokracia, me perjashtime të rralla, nuk mundi, deri tani, të krijojë një model ndryshe.
©Klodi Stralla



















