Blog

Copa dialogu me vetveten - Nga Behar Gjoka

Njeriu duke biseduar me të tjerët, me gjithë botën, për një mijë e një punë, a broçkulla, padashka a me qëllim, harron veten. Turremi me harbim mbi gjithçka ngjet në botë, në Paris, Londër, Uashington, Moskë, Prishtinë, Berlin e tërci e vërci. Harrimi i vetes është kryendëshkim, sepse duke harruar veten, jep shkas që të tjerët të të fshijnë nga faqja e dheut... Duhet shpikur ndonjë moment, sado i vogël, që të llafitesh me veten, sikur ke dy vete, brenda qenies tate... Tung!

- Po, nga gazetat. E kanë sulmuar. Autor me kurajë dhe disi mazokist.

- Nuk mund të shkruash një roman për sferën politike duke akuzuar këdo dhe më pas të pretendosh se do ta kalosh lehtësisht dhe se gjithçka do të kalonte pa u vënë re.

- Jo nga gazetarët dhe blogerët. Lajmi në“Twitter” merr dhenë.

- ... Ka më shumë njerëz që thonë fjalë të bukura dhe i shpërndajnë më gjerësisht.

- Edhe fjalë të shëmtuara. Kështu ka qenë përherë.

- Kjo miklon narcisët.

- Epoka vetë është narcise.

- Kjo prish lidhjen mes veprës dhe shkrimtarit.

- Ti nuk je më pak narcis se të tjerët. Të gjithë jemi nga pak narcisë.

- Nuk e kuptoj se ku do të dalësh. Unë e refuzoj këtë shoqëri materialiste me kultin e parasë, të anës fizike të njeriut dhe të show-t.

- Radikalizmi yt nuk është më pak narcis. Nuk ke gojë të gjykosh botën rreth nesh.

 - Nuk mund të më ndalojë njeri.

- Thjesht desha të them se edhe ky radikalizëm është narcizëm.

- Vepro dhe mendo si të duash, unë do të bëj timen.

 - Romani i tij i ri është me vlerë, si veprat e tjera që ai ka krijuar vitet e fundit. Tek e lexoja më bëhej sikur kisha një hark që tendosej brenda meje. Skenat dhe situatat janë të përjetuara, prekëse dhe të përcjella me ndjenjë.

- Mbase mund të ishte më më i kthjellët ose...

- E kthjellët nuk është fjala e duhur.

- Më i sinqertë?

- Jo. Sikur të ishte më i ashpër.

Ndonjëherë kritikët bëjnë pyetje, në dukje, pa lidhje me tekstin e autorit. Por pranohet që një tekst nxit reflektim që shkon përtej tij. Pyes veten nëse shkëputemi dot nga periudha jonë kohore lidhur me atë që ndodh ose duhet të ndodhë. Kur shkruajmë libra dhe i botojmë, dalim jashtë periudhës sonë kohore.

Njerëzit nuk kursehen për të blerë një kompjuter 1500 euro, pajisjet e internetit në kohë krize, por u dhimbset të paguajnë për muzikë, libra, revista. Disa thonë se arti nuk ka më vlerat e duhura, ndaj duhet të jetë falas. Ka edhe shumë njerëz që mendojnë të kundërtën. Është e lehtë të fshihesh pas teorive të artit modern për të shkarkuar pa pagesë një film ose një libër.

 - “X” është qartazi roman autobiografik, kështu?

- Po dhe jo. Mendoj se çdo krijim letrar është autobiografik. Nuk është imazh, por realiteti.

- Frymëzohen shkrimtarët nga persona realë?

- Më duket interesante përzierja e artistikes me realitetin. Ç’rëndësi ka nëse autori është frymëzuar nga X apo Y. Lexuesi do ta zëvendësojë me kujtimet, fantazinë e tij, duke rezultuar me një personazh aq fiktiv sikur të ishte krijuar nga e para...

{... roman auto-artistik? Njerëzit e përdorin këtë shprehje, por unë s’e kuptoj mirë. ...libër siluetë e jetës private të autorit.}

- Libri yt perceptohet si larje hesapesh.

- Jo. Ky është këndvështrimi yt dhe është i diskutueshëm. Mund të themi se çdo individ ka një imazh vetjak, që mundohet ta shesë, ose jo.

-Pra, është çështje parash?

- Jeta ime ka një vlerë, ndaj nëse ma përdorni, duhet të më paguani. Por jeta ime lidhet me ndërveprimet me të tjerët. Mund ta quani subjektive, nëse doni. Nuk mund ta përdor për të treguar gjërat që di?

- Pyetje me vend, por që s’ka gjetur përgjigje.

- Imazhi ka një vlerë në treg. Prova është vetë libri yt. Shitet, ka një çmim. Jeta e tjetrit ka vlerë.

- Është e vërtetë. Asgjë nuk bëhet falas.

- Kjo mbetet për t’u diskutuar. Ideja që tregtia, biznesi dhe reklamat kontrollojnë qarkullimin e dijes, nuk më bind.

- Edhe botimi i librave është biznes.

- Ua kushtojmë jetën ideve, librave, por këto ide na lënë pas.

- Jo domosdo. Përkundrazi, i vemë në pikëpyetje. Ato evoluojnë, ndërsa ne i parakalojmë.

- Pse qesh?

- Më bën të qesh mendja jote digjitale.

- Teknologjia digjitale na shkund nga zona e komfortit për të rishpikur veten. Kjo është sfidë.

S’e kam fjalën për atë që shndërrohet, por për atë që mbetet njësoj. Jemi ruajtës të ideve që përshkojnë kohën, edhe kur dyshojmë...

 - Kemi hyrë në epokë të re.

- Çfarë të bëjmë, atëherë? Të ndryshojmë logjistikën? Logjistika është po ajo: realiteti, taksat, puna, shkolla, siguria.

- Është më e ndërlikuar se kaq.

- Jo, është e thjeshtë. Ka temperaturë reale dhe të perceptuar, që janë dy gjëra të ndryshme. Duhet të merremi si me të perceptuarën, ashtu dhe me realen.

- Çfarë e përcakton realitetin e perceptuar?

- Informacioni, klima përreth.

- Informacioni nuk ekziston më.

- Si jo. S’mund ta thuash këtë. Është si supermarket informacioni, ku secili bën blerjet me karrocën e vet.

- Interneti është më shumë se kaq. Aty zgjedhim se ku të blejmë. Thjesht zgjedhim ç’të lexojmë për të mbështetur mendimet tona.

 Opinioni publik evoluon dita-ditës. Vija e frontit është komunikimi që disa e nënvlerësojnë. Në kohë reale. Duke lejuar çdo lloj mendimi.

- Ekziston një farë post e vërteta. E përjetojmë këtë lloj të vërtete për ca kohë.

- Çfarë quan ti post të vërtetë?

- T’i lejosh njerëzit të jetojnë në një botë fiktive, të përcaktuar nga paragjykimet

e tyre.

- Mendon se njerëzit janë aq naivë?

- Të gjithë kemi nevojë për siguri në një botë të pasigurt.

- Nuk i kuptojnë mesazhet e fshehta që përcillen?

- Mendoj se skanojnë gjithçka në mënyrën më të mprehtë.

- Je optimist.

- Jo, aspak. Mendoj se kjo qartësi nuk shërben për asgjë. Më lodh e gjitha kjo.

 E di se s’jam partizan i rendit dhe stabilitetit.

- Po pra, ti preferon trazirën.

- Kam një marrëdhënie të keqe me autoritetin.

- Cila është e kundërta e autoritetit?

- Kaosi. Kaosi është më i mirë. Ti e preferon.

- Teorikisht po, sepse është më produktiv. Kaq.

- Në praktikë, nuk mendoj se jep aq rezultat.

 - U hodha një sy shënimeve tua për kritikën letrare të së ardhmes. Nuk m’u duk pozitiv.

- Është faktual. Janë gjëra që i gjeta në internet. Marr atë që më intereson, lë pjesën tjetër.

- Ky është trendi?

- Roli i kritikut letrar si krijues trendesh është dobësuar. Duhet të tregohemi të shkathët dhe proaktivë.

- Me të njëjtin ritëm që gazetat humbin lexuesit?

- Po.

- Në përgjithësi gazetat kthehen në digjitale. Ose në blogje.

- Çfarë ndryshimi sjell?

- Se për rrjetin shkruan ndryshe. Merresh me optimizimin e përdorimit të fjalëve kyçe, që të indeksohen më mirë nga robotët.

- Cilët robotë?

- Ata që rendisin informacionet për motorët e kërkimit për të testuar sesa viralë janë titujt.

- Indeksim ose jo, viralë ose jo, kritikët mbeten krijues trendesh.

- Deri në njëfarë pike.

- Subjektivizmi i tyre s’lidhet patjetër me objektivin e botuesve që botojnë libra për t’i shitur ndaj duan që të tërheqin lexuesin e interesuar.

- S’më pëlqen të arsyetoj kështu.

- E bëjnë prej kohësh. Synojnë lexuesin e mundshëm në vend që të lajkatohen kritikët. Nuk kanë nevojë për subjektivitetin e një ndërmjetësuesi. Sot ke algoritme për këtë.

- Dhe çfarë më thonë algoritmet?

- Përpunojnë informacionin për gjithçka që na intereson neve. Ato të shënjestrojnë dhe u paraprijnë shijeve tona. Në të ardhmen do të kemi më shumë besim tek algoritmet e bazuara te zakonet e klientëve lexues sesa te mendimet e kritikëve.

- Tregohesh i ashpër.

- Të gjitha llojet e autoritetit vendosen në pikëpyetje sot.

- Por algoritmet nuk do të nxisin diskutimet e opinionit. Nëse është fjala për analiza, refleksione, histori arti, është diçka tjetër.

- Do të ketë blogje opinionistësh për to. Unë të flas për shitje.

- Në këtë pikë nuk i dihet asnjëherë. Sondazhet flasin ndryshe.

- Çfarë thonë?

- Se blerësit e CD-ve, frekuentuesit e kinemasë dhe lexuesit reagojnë ndaj pëlqimeve ose linqeve të opinionistëve në “Twitter” ose të friends-ave në “Facebook”.

- Ti e di se shumica e pëlqimeve janë nga hakerë të paguar.

- Gjithsesi, ata luajnë rol në zakonet e rrjeteve sociale ndaj ndjeshmërisë bashkëkohore.

- Është diçka e mirë, apo jo?

- Nuk kam ndonjë mendim.

- Atmosfera letrare, kinse shkencore ne Shqipëri dhe përqark

Një libër studimor dhe kritik, tentohet te zëvendësohet me forma të tjera...

a - Çfarë është një parathënie?

- pordhë me rigon...

b - Po një artikull?

- pordhë pa rigon...

c - Po një kumtesë?

- pordhe me dhe pa rigon...

Kaq për sot...

©Behar Gjoka