Blog

Abazoviçi, shembull i deliriumit politik - Nga Xhevdet Nasufi

Xhevdet Nasufi* - Maqedonia e Veriut

Prova se si mbrohet interesi i kombit dhe shtetit u shikua qartë në Kuvendin e Malit të Zi edhe nga shqiptarët, ashtu edhe nga malazezët. Deputetë shqiptarë favorizuan kombin dhe jo individin, siç ishte kryeministri atje. Por me shkarkimin e Abazoviçit si kryeministër në bashkëveprim me joshqiptarët në Kuvend, shqiptarët atje vërtetuan edhe mbrojtjen e interesit të shtetit.

Me shumë peripeci, mundime, kërcënime, rreziqe (u provua edhe grusht shteti kundër hyrjes në NATO të Malit të Zi), i ekspozuar edhe ndaj paragjykimeve të trashëguara, pse jo diku edhe të arsyeshme, Gjykanoviçi (politikani më i moderuar në raportin komunizëm-pluralizëm politik) befasoi këndshëm duke promovuar një shqiptar për të parën herë kryeministër të Malit të Zi. Askush nuk e priste të bëhej ky “revolucion i qete” në vendin e trashëgimisë së egër sllavo-komuniste. Por ja që, me një elegancë politike ky “revolucion” demokratik u realizua falë Gjukanoviçit.

Ishte domethënës edhe zhvillimi pararendës. Në këtë “revolucion” demokratik malazez, paraparakisht u rrëzua qeveria proserbe, të cilën në fakt pas zgjedhjeve e ndërtoi Abazoviçi me votat e Partisë së tij. Ishte sfiduese qeverisja proserbe e Krivokapiçit për identitetin kombëtar dhe shtetëror në Mal të Zi, andaj edhe ndodhi që në një rrugëtim demokratik Krivokapiçi u rrëzua dhe u pasua nga Dritani si kryeministër. Shume sfida madhore kombëtare dhe shtetërore për Dritanin shqiptar, por asnjërës nuk i qendoi kalueshëm.

Të kujtojmë, Abazoviçi përkrahu pas zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi qeverisjen proserbe, në konkurencë me rrymën promalazeze të Gjukanoviçit. Ai preferoi Krivokapiçin karshi Gjukanoviçit. Ishte kjo domethënëse në kuptimin negativ. Përkundër kësaj, në një zhvillin demokratik, ndodhi qeverisja e Dritanit pas rrëzimit të Krivokapiçit, përsëri me votat e Gjukanoviçi, të cilin aq shumë e kundërshtoi pa ndonje argument.

Sigurisht se nuk duhet shumë mund, as dhe angazhim të konsumohet për mosbesimin që i referohet rrëzimit të Abazoviçit, por mosbesimi si mjet i fuqishëm i demokracisë funksionale në këtë rast përmbledh disa porosi të vlefshme.

Së pari, një deputet shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, inicues për rrëzimin e Abazoviçit, ekspozoi në mënyrë shembullore se fakti që dikush është shqiptar, nuk është garanci se denjësisht do të mbrojë shqiptarët nga padrejtesitë, edhe pse mund të mos jetë kundër shqiptarëve.

Së dyti, edhe pse në politikë referuar hapsirave të Ballkanit është bërë standard premtimi i rrejshëm, apo edhe devijimi i vetëdijshëm nga e vërteta, duhet të ruhet besimi, besnikëria, mirësjellja dhe pozitivizmi ndaj politikbërësve të mençur, veçmas kur i referohen interesave të shqiptarëve, Kosovës në veçanti, siç pak a shumë bëri edhe Gjukanoviçi. Korrupsioni, si alibi i sjelljeve jo edhe aq taktike të Abazoviçit kundër Gjukanoviçit, deklarimet ezopiste emotive politike, kontribuan që të hidhet shpejt në mosbesim si kryeministër për jo më shumë se katër muaj.

Së treti, vota shqiptare kundër kryeministrit shqiptar në Mal të Zi është një referim i duhur për veprim edhe të deputetëve në Tiranë, në Shkup edhe më gjerë. Kjo, sepse edhe po të duam që të skematizojmë qetësi, mirëqenie dhe kohezion harmonik brendakombëtar dhe ndëretnik, edhe më tej segmentarizimi dhe ndarja në këto dy rrafshe ështe e madhe.

Sigurisht për fatin tonë të keq, shqiptar ishte edhe Abazoviçi, i cili së pari tundi për të keq Kosovën me deklaratën e prerë për mosrishikimin e vijës kufitare mes dy vendeve, me qasjen përçmuese ndaj Kosovës në raport me “Ballkanin e Hapur” dhe me marëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe. Këtë ndjesi dhe raport me Kosovën nuk e kanë patur kryeministrat pararendës joshqiptarë në Mal të Zi.

Vallë, mjafton vetëm të jesh shqiptar në funksion dhe me të e ke mbyllur detyrimin kombëtar?

©Xhevdet Nasufi

*Autori është ish-ministër i Drejtësisë dhe ish-ministër i Pushtetit Lokal i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.