Blog

Pse Kanadaja është vend demokratik? - Nga Fazli Mazreku

Fazli Mazreku - London, Ontario

Në muajin shtator mbahen zgjedhjet për liderin e ri të Partisë Konservatore të Kanadasë, meqënëse në muajin shkurt të këtij viti, ish-lideri i partisë, me kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Konservatore në Dhomën e Komunave u shkarkua.

Arsyeja e shkarkimit ishte fakti se Partia Konservatore, në zgjedhjet e përgjithshme, të mbajtura në shtator të vitit të kaluar, për Dhomën e Komunave në Parlamentin federal, nuk e fitoi shumicën e vendeve. Në kundershtim me praktikën demokratike të sistemit politik të Kanadasë, ku lideri i partisë që humb zgjedhjet jep dorëheqje të parevokueshme, ish-lideri i Konservatorëve, Erin O’Toole, nuk e pa të arsyeshme të japë dorëheqje dhe automatikisht u emërua lider zyrtar i opozitës. Nuk dihet arsyeja se pse nuk e dha dorëheqjen.

Grupi Parlamentar i Konservatorëve këte sjellje të pashpjegueshme të liderit të partisë nuk e miratoi, duke filluar mbledhjen e nënshkrimeve të mjaftueshme për të kërkuar nga organet përgjegjese shkarkimin e tij për shkak të humbjes së zgjedhjeve.

Grupi i deputetëve e shkarkoi me shumicë votash liderin e partisë Erin O’Toole dhe në të njëjtën kohë u caktua lideri i përkohshëm gjer në zgjedhjet e jashtëzakonshme për liderin e ri.

Në 10 shtator në Ottawa do mbahet Konventa Konservatore ku do shpallet fituesi. Fushata parazgjedhore u intensifikua dhe të gjithë kandidatët, dukej sheshit, se janë shumë ambiciozë duke shpalosur platformën politike dhe programet ekonomike për dalje nga kriza, nëse i fitojnë zgjedhjet e ardhshme të rregullta apo të parakohshme, kurdo që të mbahen.

Ne garën për liderin e partisë konkurrenca është shumë e fortë, meqënëse shumica e kandidatëve kanë qenë deputetë apo edhe ministra të kabinetit qeveritar për disa mandate. Por sipas shumë sondazheve, Pierre Poilievre ka epërsi relative, sepse është deputet nga viti 2004 dhe ka qenë dy herë ministër në kabinetit qeveritar të kryeministrit konservator Stephen Harper.

Kanadaja edhe pse është monarki kushtetuese, ka ndërtuar sistem politik të ekuilibruar, të mbështetur në parimet demokratike, me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët kanadezë për t’u zgjedhur në postet më të larta partiake dhe shtetërore, nëse kanë kualitete profesionale, aftësi lidershipi, etikë politike dhe vizion për përparimin shoqëror dhe  ekonomik të vendit.

Kanadaja ka diversitet të madh gjeografik, njerëzor, etnik, shoqëror, ekonomik dhe një sistem të ndërtimit të brendshëm federativ, ku provincat dhe territoret, përkundër diferencave shoqërore dhe ekonomike, nuk diskriminohen nga provincat e mëdha dhe të fuqishme ekonomikisht, siç janë provincat e Ontario-s, Quebéc dhe Alberta-s

Këto postulata të mishëruara në Kushtetutën e vendit të riatdhesuar nga kryeministri Pierre Elliott Trudeau në vitin 1968, e bëjnë Kanadanë njërin ndër vendet me demokraci më të avancuar dhe që mund të shërbejë si model për demokracitë e reja.

©Fazli Mazreku