Blog

Askush nuk e ka monopolin e të qënit i pagabueshëm - Nga Taulant Dedja

Fjalë e mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë më 12 prill 2007

Të nderuar kolegë,

Po e marr sërish fjalën në foltore pas një periudhe relativisht të gjatë. Më shumë se mungesa fizike për shkaqe objektive në disa periudha të alternuara, një nga arsyet që më kanë detyruar të mos flas, është bindja ime, që heshtja gjithashtu mbetet një mënyrë për t’u «shprehur», brenda një mjedisi të caktuar.

Në këtë sallë, i vetmi mjet që kam përdorur ka qenë kurdoherë fjala. Asgjë tjetër veç fjala. Herë-herë pa leje ose me zë të lartë, në ndonjë rast edhe në shkelje të etikës së komunikimit. Gjithsesi, nëse kam lënduar drejpërdrejt ndokënd, të jeni të sigurt se e ka patur në çdo rast ndjesën time, sikurse dhe kam marrë në çdo rast ndjesa reciprokisht.

Motivimi për të folur, më tepër se sa një artikull gazete i para dy ditëve, është mënyra si po e perceptoj dhe këndvështrimi që kam, për klimën e përgjithshme politiko-mediatike, e projektuar kjo në raportet media-pushtet dhe respektimin e lirisë së fjalës, në krizën e thellë brenda Partisë Socialiste dhe në të ashtuquajturën fushatë presidenciale, që ka filluar në mënyrën më transparente të mundshme në raport me precedentët e mëparshëm.

Para dy ditësh, një shkrues servil me emrin Fatos Ç, që në zhargonin e sotëm cilësohet analist, etiketonte në gazetën «SHQIP», si deputetë të tredhur nga Fatos Nano, kryetari i tyre për 15 vjet, një grup prej 16 deputetësh socialistë, të cilët i kërkuan Kongresit të partisë së tyre të mbrojë Statutin me votë të fshehtë. Madje, fjalën e sipërpërmendur nuk e kishte futur as në thonjëza, të paktën për t’u justifikuar që e kish përdorur në mënyrë figurative.

Këtij njeriu për të cilin ndjej mëshirë (faji është i atyre që urdhërojnë dhe e paguajnë) i kam dhënë të drejtën (me votim të fshehtë ose të hapur në redaksinë e gazetës së tij) të publikojë përmbajtjen e bisedës telefonike që kam zhvilluar me të dhe rrugën që i kam treguar se si të verifikojë atë që ka shkruar.

Dikush mund të nxitojë dhe të thotë nesër, që i «shituri» te Berisha Taulant Dedja, filloi të sulmojë edhe ai fjalën e lirë. Të jeni të sigurt që nuk kam ndërmend të shqetësohem.

Nuk jam shqetësuar as kur kam patur në shpinë një pjesë të shtypit të varur, që më akuzonte pa asnjë lloj të drejte si bashkëpunëtor në vrasje dhe gazeta e partise time nuk shkroi qoftë edhe një fjalë të vetme për të më mbrojtur. Sikurse kam vlerësuar ndjesën e Nikollë Lesit, kur në gazetën e tij u botua një lajm i pavërtetë, si presion i disa individëve të cilëve u kisha refuzuar zhbllokimin e një tentative për ndërtim të paligjshëm. Sikurse me bindje të plotë kam shkelur disiplinën e grupit dhe urdhërin e Fatos Nanos për të anulluar pjesëmarrjen në një konferencë ndërkombëtare, që të isha prezent në votimin për heqjen e imunitetit të deputetit Lesi, sepse kisha bindje të plotë se nuk duhej t’i hiqej imuniteti parlamentar. Sikurse në asnjë rast nuk i jam lutur askujt të shkruajë për mua dhe nuk kam investuar asnjë qindarkë për të ndërtuar imazh mediatik, sikurse në të gjitha rastet fjalimet i kam shkruar vetë.

Për dijeni të një pjese të gazetarëve të rinj në moshë dhe profesion, unë kam patur fatin të hyj në politikë pas një eksperience në fushën e gazetarisë, në kohën më të vështirë për mediat e krijuara në vitet e para të pluralizmit, në kohën kur burgoseshin apo rriheshin deri në dëmtim të organeve gjenitale gazetarë, nga struktura të dhunshme të shtetit, kur bastiseshin apo digjeshin redaksi gazetash. 

Kam qenë kryeredaktor i gazetës «Populli PO» me drejtor e pronar poetin Ilirian Zhupa kur burgosej Ylli Polovina, pas shpërthimit të një autobombe në Tiranë, për faktin se i kishim botuar në gazetën tonë një artikull 3 muaj më parë. Ndërsa 3 muaj më pas, gazeta falimentoi dhe u mbyll si pasojë e represionit shtetëror.

Profesionin e gazetarit e quaj të shenjtë. Ai është profesion i misionarit të fjalës së lirë dhe me shumë dëshirë dhe përkushtim do ta ushtroj përseri, ditën kur nuk do të jem më në këtë sallë si deputet.

Sa për tredhjen e të mjerit «Ç», i cili ka për koinçidencë të përbashkët me Nanon vetëm emrin dhe të qënit qytetar i të njejtës republikë, dua të sjell në vëmendje të publikut se «Ç» tashmë është një fenomen. Shërbetorëshkruesit klientelistë «Ç», që ndërrojnë padron sipas interesave të xhepit të tyre, janë shtuar pa hesap kohët e fundit.

Këta lloj tipash, dikur i quanim gazetarë tavolinash me shokun tim të mirë gazetar, Zamir Dule, viktimë e dhunës së shtetit të krizës së vitit 1997, i cili me një pension modest invaliditeti, jeton në vetminë e tij fatkeqe në skaj të Devollit. Sot ata quhen analistë apo opinionistë, shëtitës, të marrë sipas rastit me qira apo të vetëshpallur të pavarur, në varësi të konjukturës së tregut politik, në varësi të raportit që ka paguesi (pronari) i tyre me X apo Y politikan a kryetar partie.

Të kollarisur ata thuajse çdo ditë kapardisen nëpër ekrane apo me editoriale gazetash dhe marrin përsipër të flasin për çdo gjë. Një pjesë e mirë e tyre vuajnë dilemën e madhe, të futen, apo të mos futen në politikë. Kjo është çështja! Do lënë, apo nuk do lënë mandatet deputetët, thotë një takëm. Jo, se nuk i lënë gratë, thotë takëmi tjetër dhe luten që sistemi të bëhet proporcional, se për ta do mendojë ndonjë kryetar partie, të cilit i krehin bishtin nga mëngjesi deri në darkë.

Kërkoj e kërkoj të gjej një të pavarur dhe mezi e gjej një. Natyrisht ka dhe të tjerë, të cilëve u kërkoj ndjesë që do të citoj vetëm një. Ky që gjej, e ka përsëri emrin Fatos, po kësaj radhe me mbiemrin Lubonja. Kësisoj i them Fatosit të dytë, «Ç», e kundërta e Fatosit të tretë, Lubonjës, se ka një fakt shume kuptimplotë që provon se Fatosi i parë, Nanua, as nuk tredh dhe as nuk klonon deputetë. Fakti është ky: asnjë, ose pothuaj asnjë nga ata që Nano projektoi në politikë pa karrierë partie duke filluar nga Rama, sot nuk janë më në krahun e tij.

Pikërisht ky është koncepti i partisë së hapur, standart të cilin e ka patur me kohë Partia Socialiste, megjithëse këtë nuk do ta besojë Nazarko i dytë, i cili fliste mbrëmë në «Top Show» për mbylljen e Partisë Socialiste dhe që si Jovan Bregu, «vdes» të punojë një çikë edhe një herë në Presidencë. Nazarko 1 dhe 2, janë ish-punëdhënësit e mi, për pak kohë në vitin 1996, punëdhënës që nuk më derdhën asnjë qindarkë në shtet për sigurimet shoqërore. Nazarkon 1, ma zuri syri mes delegatëve të kongresit të partisë time, në kohën që zhvillohej seanca me dyer të mbyllura. Thashë me vete, gjersa ka ardhur te ne, tani me sa duket mendon me zemër për punëtorët me mëditje të fjalës së lirë, gazetarët e thjeshtë.

Shumëkush mund të pyesë ku është morali i fabulës ? Do ta them.

Unë, ish-gazetari modest, sot deputet opozitar, jam kundër çdo lloj presioni shtetëror mbi mediat. Madje i bëj thirrje kryeministrit, të heqë sa më shpejt edhe nga fjalori i tij fjalët me përmbajtje të dhunshme «hanxhar» apo «mafie» dhe të ndalojë «fushatat preferenciale» të tatimorëve, që mund të organizojnë vartësit servilë. Thënë shkurt, siç ka premtuar, të aplikojë ligjin me një standard. Sikurse kam bindjen se cilido në këtë vend duhet të zbatojë ligjin, qoftë kryeministër, deputet, biznesmen-botues apo analist.

Por më vjen keq të pohoj që po kaq i rrezikshëm sa presioni shtetëror është dhe presioni vizual apo verbal, që me ose pa dashje, disa media ushtrojnë mbi opinionin publik, sidomos në momente përplasjesh alla shqiptarçe, duke u bërë shërbëtore të politikës qoftë kjo majtas, qoftë djathtas, duke humbur krejtësisht paanësinë në rolin për të komunikuar të vërtetën me objektivitet. Dhe këtë, nuk e them për shkak interesash politike, por e them në radhë të parë për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, asfare jo të drejtat e deputetëve.

Përse, do të pyesë miku im Filip Ç?

Dikur, emisionin «Fiks Fare» e kam quajtur opozita e vërtetë në Shqipëri. Madje prej panelit të tyre kam marrë cilësimin «i sinqertë», kur kam deklaruar se të gjithëve si politikanë duhet të na vijë turp që qytetarët tanë bredhin dhe rropaten dyerve të ambasadave për një vizë. Por, duke dënuar imoralitetin e cilitdo që shfrytëzon detyrën për të kënaqur epshet, nuk mund të pranoj që fëmijët e mi, që fëmijët tanë, që femijët e botuesve dhe analistëve, që çdo fëmijë i këtij vendi, të shohë në një televizion që mbahet me paratë e shikuesve, në një orar brenda kohës së audiencës edhe të minorenëve dhe pa asnjë paralajmërim, skena erotike të filmuara me metoda policeske.

A kanë menduar inskenuesit e filmimit dhe të transmetimit të pamjeve se cili mund të jetë rezultati i traumës që pësojnë familjarët apo fëmijët e personave të filmuar? I ftoj të interesohen dhe të pyesin në çdo vend të BE për të marrë vesh se si vepron ligji në raste të tilla.

Unë shpresoj që edhe për këtë çështje, shumë shpejt do të kemi një protestë nga Lëvizja «Mjaft», sepse siç është detyrë të protestohet ndaj çdo shkeljeje të qeverisë, duhet protestuar edhe ndaj shkeljeve të pushtetit të katërt. Askush në Shqipëri nuk e ka monopolin e të qënit i pagabueshëm!

Madje unë shpresoj, dhe për këtë kam bërë ftesë publike, që përpara se drejtuesit e «Mjaft» të projektohen përfundimisht përmes konkurimit, besoj të ndershëm, në politikë, nëse vërtet i besojnë ato që thonë dhe bëjnë, të organizojnë edhe një protestë për respektimin e votës së fshehtë dhe mendimit ndryshe në Partinë Socialiste.  Unë do të jem në krah të tyre nëse vërtet e bëjnë. A mund të shpresosh nga një parti që nuk zbaton ligjin e vet brenda saj, që nesër kur të vijë në pushtet do të punojë për shtetin e sundimit të ligjit, jo të individit?

Me të drejtë, sot vazhdohet të flitet shumë për respektimin dhe mbrojtjen  e fjalës së lirë. Edhe në demokracitë më të konsoliduara vazhdojnë të shfaqen përplasjet media-pushtet. Por të them të drejtën, konstatoj me keqardhje se qysh nga viti 1997, ende nuk kam parë të protestohet për të drejtat e gazetarëve në raport me botuesit dhe pronarët. Ky, sipas meje, është një nga motivet që pjellin dhe «Ç-të» shkrues-shërbëtorë klientelistë.

Ndaj dhe përsëris atë që kam thënë në këtë sallë fiks tre vjet më parë, gjatë një debati për mediat, se problemi në Shqipëri më shumë se sa tek garancitë e lirisë së shprehjes, qëndron tek raportet morale të botuesve dhe pronarëve të mediave me politikën, që nuk janë as normale dhe as transparente. Për mua shkalla e korrupsionit në politikë është e njëjtë me atë në media. Përndryshe nuk ka se si një drejtor gazete të na thotë mbrëmë ne socialisteve nga një studio televizive e respektuar, që të mbyllim derën e kongresit nga brënda dhe të kyçim gojën. Ky drejtor e hapi gazetën në vitin e piramidave financiare. Në qeveritë socialiste privatizon një godinë shtetërore e cila më pas shembet dhe mbi të ndërtohet një pallat shumëkatësh me leje nga bashkia socialiste dhe pastaj mëson socialistët se si të bëjnë kongresin!?

I dashur drejtor, a ish-pronar gazete, në cilin vend demokratik ke parë ndonjë kongres partie me dyer të mbyllura?

Me sa duket, ky takëm janë njerëzit që «këshillojnë» PS që të mos përsërisë të ashtuquajturat telenovela, në një kohë kur gjithë spiralja e jetës së atij që urdheroi mbylljen e derës së kongresit socialist për mediat, kryetarit Edvin Rama, është fund e krye telenovelë e një telenovelisti, i cili telenovelat politike i zëvendëson me telenovela analistësh shërbëtorë.

Për t’u kthyer te «Ç», i cili do të kujtohet si personazhi që pasuroi fjalorin parlamentar me fjalën tredhje, dua të sjell në vëmendje dhe një fakt. Faktin që më shumë se gjysma e shqiptarëve nuk votojnë dhe janë të zhgënjyer nga politika. Kjo pjesë megjithatë, është në kontakt të përditshëm me mediat. Pra ajo dëgjon ose lexon edhe moralin që bëjmë ne, edhe moralin që bëjnë analistët dhe opinionistët.

Që raportet të jenë të drejta dhe të paktën të ekulibruara (se që të quhen të ndershme do duhen dekada), do të ishte në nderin e botuesve dhe opinionistëve të na sugjerojnë ne, ligjvënësve, një amendim të ligjit për deklarimin e pasurive, ku të parashikohet detyrimi për deklarimin e pasurive edhe për përfaqësuesit e pushtetit të katërt, botuesit dhe analistët. Kësisoj, nesër kur të këmbejmë vendet, të gjithë do vazhdojmë të deklarojmë pasuritë…

©Taulant Dedja