Artistët dhe politika si arti i gënjeshtrës - Nga Rob Kore

Rob Kore - Toronto
Asnjëherë nuk e kam kuptuar arsyen përse artistët dhe sportistët ngatërrohen me politikën. Disa mund të më thonë që politika është art. E vërtetë, veçse politika është arti i gënjeshtrës. Pra, artistët apo edhe sportistët, që nga momenti që mbështesin këtë lloj arti, e kanë kthyer veten, nga figura që i do i gjithë populli, në figura që gjysma e popullit fillon t’i urrejë. Memet dhe talljet ndaj tyre vërshojnë lumë.
Kjo ndodhi në Shqipëri me Rita Orën dhe Dua Lipën. Shumë më keq me këtë të fundit, sepse ylli komunist në flamurin shqiptar egërsoi pothuajse të gjithë shqiptarët.
Pashë një publikim në rrjete të Dukagjin Lipës, ku komentet dhe fjalët poshtë këtij publikimi ishin nga më të urryerat ndaj tij. Të nesërmen, duke parë reagimin e fortë të shqiptarëve, ai e kishte hequr publikimin.
Më pëlqeu ky reagim i shqiptarëve për dy arsye. E para, sepse do e bëjë Dukagjinin t’i thërrasë mëndjes që të mos bëjë gafa të tilla herë tjetër. E dyta, sepse shqiptarët e kanë hequr ndjenjën e inferioritetit dhe nuk shqetësohen më se kush je ti. Sado i fortë apo i famshëm qofsh, do marrësh përgjigjen që meriton për veprimin tënd.

E njëjta gjë ndodh edhe në Amerike me Holliwood. Nga momenti që disa prej yjeve të Holliwood marrin qëndrim politik, gjysma e Amerikës i urren ata. Kjo ka ndodhur me artistë shumë të famshëm si Madonna, De Niro, Deep, Cher etj. Mbas disa deklaratave politike, Madonna-n e kanë bombarduar me meme dhe komente duke e nxjerre atë si një rrugaçe dhe injorante, ndërsa De Niro dëgjoi me miliona herë akuza ndaj tij si pedofil.
Veçse në Holliwood ka një veçori. Veprimin e bëjnë ata artistë që karriera e tyre ose ka mbaruar, ose janë nga fundi i saj dhe ata nuk shqetësohen shumë për pasojat, kurse Rita Ora dhe Dua Lipa janë akoma të reja për ta futur veten e tyre në këtë lloj “trouble”, ku të josh politika.
P.S. Që të mos keqkuptohemi, artisti dhe sportisti kanë të drejtën e gjithë botës të kenë qëndrimin e tyre politik, por nuk kanë asnjë të drejtë të bëjnë thirrje ose deklarata politike për të influencuar politikisht fansat e tyre. Çdo fans i tyre ka mendimin e tij personal dhe e di vetë së kë mbështet apo voton.
©Rob Kore





















